Kurti në takim me rektorin e Hamburgut, ai përgëzoi qeverinë për përparimet e bëra në fushën e arsimit

Prishtinë | 12 Kor 2024 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në ndërtesën e qeverisë rektorin e Fachhochschule Flensburg dhe deputetin e Parlamentit të Hamburgut, Dr. Sven Tode.

Takimi filloi me urimin e kryeministrit për mirëseardhje në Kosovë dhe për interesimin e Tode në fushën e arsimit në Kosovë. Kryeministri Kurti e njoftoi atë mbi arritjet e qeverisë në fushën e arsimit.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe rreth marrëdhënieve bilaterale në këtë drejtim, bashkëpunimit akademik dhe për mundësitë dhe potencialin që paraqet mërgata jonë në Gjermani për fuqizimin edhe më tej të marrëdhënieve tona.

Kryeministri Kurti theksoi se buxheti për sektorin e arsimit është rritur me 26%, kurse studimet universitare janë pa pagesë për studentët. Dr. Sven Tode shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe përgëzoi qeverinë e Kosovës për përparimet e bëra në fushën e arsimit.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, z. Tode do të vizitojë disa universitete dhe shkolla për të parë nga afër zhvillimet dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm. Në Hamburg, ai është në kontakt të vazhdueshëm me studentët shqiptarë dhe synon të forcojë lidhjet akademike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.

Të ngjashme