Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë u pyet për kërkesën ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit.
Kurti tha se kjo çështje mund të adresohet në diskutimet për marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por se kjo s’është në frymë me Kushtetutën e Kosovës.
“Jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, sipas Kushtetues së Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Marty Ahtisaari dhe Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion njëetnik. Fjalia e parë e atij plani që është hartuar nga ta thotë që Kosova duhet të jetë multietnike dhe thotë se asociacionet apo institucionet monoetnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë dhe të drejtat më të mëdha për të gjitha pakicat. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, por pa e nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë vizitës së tij dje në Kosovë tha se Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se presin nga Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë.