Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas një takimi me kryetarin e komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë thirrje që qytetarët t’i respektojnë masat për parandalimin e Coronavirusit.
Ai ka thënë se gjatë takimit me Aliun, është njoftuar për masat e marra nga komuna.
“Masat që janë ndërmarrë në Ferizaj ka ndikuar që numri i të infektuarve të jetë i ulët, prandaj këto masa do të vazhdohen në bashkëpunim me MSh dhe Qeverinë”.
“U njoftova edhe për gjendjen në Spitalin Regjional të Ferizajt. Qeveria në detyrë ka aprovuar një masë të rëndësishme në formën e një pakoje fiskale emergjente, ku do të kujdesemi për ata që punojnë, por edhe bizneset sa i përket pagesave të tyre”.
Ai ka thënë se në kuadër të pakos së masave emergjente, është paraparë edhe ndihma ndaj komunave.
Sipas tij, në javët e muajit prill duhet koncentrim maksimal në udhëzimet e institucioneve shëndetësore të cilët ftojnë të qëndrojnë në shtëpi.
“Ne po i vizitojmë komunat pa dallim partie e etnie, sepse jemi bashkë në këtë luftë. Është e vërtetë se ne i kemi mbështetur të gjitha llojet e uniformave të cilët janë në krye të detyrave”.
“Pakoja jonë fiskale është ciklike, ne nuk kemi bërë pako për tërë vitin, por është për këtë muaj e një muaj më vonë. Çështjen për gazetarët e disa kategori tjera do të adresohen te Ministria e Financave”.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka thënë se për të qenë përballja e suksesshme me Coronaviurusin, duhet bashkëpunim i gjithanshëm.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë të marrin masa për parandalimin e shpërndarjes së Coronavirusit.
“Ky takim ishte mundësi për të treguar se çfarë kemi bërë ne si komunë. Ne kemi marrë shumë masa dhe veprime që të kemi epilog sa më të mirë. Këto vendime e veprime kanë qenë masa të nivelit qendror dhe lokal. Ne do të vazhdojmë të marrim masa shtesë. Ne sot kur po flasim e kemi një situatë të mirë në komunën e Ferizajt. Ne kemi më së paku të infektuar”.
Kryeministri Kurti ka vizituar gjatë ditës edhe komunën e Lipjanit.