Zyrtari i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka treguar se ka qenë kryeministri Albin Kurti, ai i cili nuk ua ka pranuar për zëvendësministër, Balton Dërgutin, koordinator i kësaj Iniciative në Ferizaj. I ftuar në “DPT te Fidani”, Avdyli ka thënë se i njëjti ka synuar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Financave, por se Kurti nuk ka pranuar që ta bëjë zëvendësministër, derisa ka treguar edhe arsyen për këtë. Avdyli tha se mospërgaditja adekuate arsimore e profesionale ka qenë arsyeja pse Kurti nuk e zgjodhi Dërgutin për të qenë pjesë e ekipit qeverisës.
“Kërkesa e tij ka qenë për zëvendësministër. Por, z.Kurti i ka pak kriteret e larta për zëvendësministër, nuk e ka parapa me një përgaditje të tillë që të jetë zëvendësministër për ekonomi. Nuk e ka ba z.Kurti, sepse se ka pas përgatitjen për atë post. Edhe ne jemi pajtu që ta merr atë post, por z.Kurti e ka pa që ai nuk i plotëson kushtet për atë pozitë, por nuk i ka thënë decidivisht jo për ndonjë pozitë tjetër, por si duket ai është ngutë”, ka thënë Avdyli.
Për këtë deklaratë të Avdylit, sot ka folur edhe Dërguti. Ai tha për Express se vet Avdyli ka përçarë disa degë të kësaj iniciative në qytete të ndryshme të Kosovës.
Më tutje Dërguti akuzoi zyrtarin e Listës Guxo për mashtrime dhe për punësime familjare në institucionet shtetërore.
“Haxhi Avdyli është një mashtrues i cili vazhdimisht është thirr në vlerat rugoviane. Vazhdimisht ka përfituar në emër të këtyre premtimeve dhe po i njëjti tash po i bien për shkak se atë premtim nuk po e mban që e ka dhënë në elektorat, por po bën thirrje që ne të hyjmë në VV dhe të shkrihemi në VV. Ne jemi mësuar tashmë sepse siç e dini Haxhi Avdyli nga mashtrimet e tij ka përfituar vazhdimisht edhe në punësimet familjare siç ka bërë në institucione dhe duke hyrë vet deputet në shpinë të këtyre vlerave. Haxhi Avdyli tek koordinatorët e qyteteve njihet edhe si përçarës që ka bërë përçaje në disa degë për t’i përfituar disa anëtarë të Degëve për vota dhe një gjë e tillë nuk i bën nder askujt e sidomos z.Avdyli që qytetarët tashmë e njohin se çfarë është”, ka thënë ai.
Me Avdylin, Dërguti u mor edhe në rrjetin social “Facebook”. Përmes një postimi, Dërguti tha se tash e një muaj e ka këtë pozitë në dispozicion, por se e ka refuzuar kategorikisht.
Madje ai tha se as për një pozitë të zv.ministrit dhe për asnjë interes tjetër nuk do të devijojë nga rruga e presidentit historik, Ibrahim Rugova.
“Sa për pozitën e Zëvendësministrit ka me shumë se një muaj që e kam në dispozicion, e te cilën e kam refuzuar kategorikisht, madje një ofertë e tillë më është bërë edhe dje dhe sot kur po e jap këtë deklaratë , mbase Haxhiun se kanë informuar shokët e tij, por lufta ime nuk ka të bej me interesin tim personal, por jam nisur në shërbim të mbrojtjes së votuesve tonë, subjektit tonë dhe mbajtjes së premtimeve që i kemi dhënë në fushatë. E kuptoj se Haxhi Avdyli nuk e ka problem të bëj devijime ,por unë asnjëherë as për pozitë Zv. Ministri dhe për asnjë interes tjetër nuk do të devijoj nga rruga e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova sepse me këtë premtim i kemi marrur votat tek elektorati ynë”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.
Në ndërkohë sot gjatë ditës, nga KQZ kanë konfirmuar për Express se lëvizja e themeluar nga Vjosa Osmani ka aplikuar për regjistrim vetëm në qytetin e Ferizajt, aty ku edhe kanë dalë pakënaqësi me anëtarësinë për punën e koalicionit me VV-në për zgjedhjet lokale
Lidhur me këtë zhvillim për Express ka folur anëtari i pakënaqur i Listës “Guxo”, Balton Dërguti, i cili ka treguar se edhe vetë ai do të aplikojë në KQZ për ta regjistruar iniciativën me emrin e njëjtë por me modifikimet e kërkuara nga KQZ–ja.
Dërguti tha për gazetën se nga qendra në Prishtinë kanë aplikuar për regjistrim vetëm për t’ua parandaluar marrjen e emrit Iniciativa “Guxo”, megjithatë thotë se do të aplikojnë për regjistrim përsëri me modifikim, teksa paralajmëron se nuk do të zmbrapset.
“Ata kanë aplikuar, Dega Kryesore, me insistim që mos me e marr na emrin Lista Guxo. Qëllimi i tyre ka qenë që vetëm me na e parandalu emrin, përndryshe ata nuk kanë për qëllim me themelu iniciativa as asgjë, për shkak se ata janë deklaruar se do të hyjnë në një listë me Vetëvendosjen. Ne do ta regjistrojmë iniciativën për shkak se neve na lejohet të kemi prapë me emrin Guxo, por ta kemi një modifikim tjetër që kërkohet në KQZ. Ne nuk do të zmbrapsemi. Këtë e kanë bërë me qëllim për mos me mujt me u thirr na në të njëjtin emër, por në Ferizaj njerëzit na njohin dhe ne do ta kalojmë çdo pengesë që na del përpara”, ka thënë ai.
Se lista “Guxo” ka aplikuar për regjistrim e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
Ai ka thënë se ky komision ka pranuar edhe tri aplikime për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 shtatorit.
“Deri më sot, 9 korrik 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 3 aplikime për t’u ceritifkuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit: Partia politike, Lëvizja Qytetare Vatra, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kryetar Komune dhe për Kuvend Komunal në Gjilan; Kandidati i pavarur, Kastriot Bushi ka aplikuar për certifikim për Kryetar Komune në komunën e Kaçanikut; dhe Iniciativa Qytetare Lista Guxo, ka aplikuar për certifikim në zgjedhjet për Kuvendin Komunal në Ferizaj”, ka thënë ai.
Balton Dërguti ditë më parë ka deklaruar se do të shkojnë vetëm në zgjedhje lokale dhe jo me Vetëvendosjen, siç ka thënë Donika Gërvalla.
Derisa Gërvalla, e cila aktualisht e drejton iniciativën, ka kërkuar që të respektohet vendimi për shkuarjen në zgjedhje lokale bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në zgjedhjet nacionale Lista Guxo ka garuar bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe së bashku arritëm që me forcën e votës ta bëjmë ndryshimin e pritur nga qytetarët e Kosovës. Prandaj jemi të bindur që garimi i përbashkët edhe në zgjedhjet lokale do të sjellë përfundimisht ndryshimin e shumëpritur në Kosovë. Prandaj Lista Guxo ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme komunale të marrë pjesë në lista të përbashkëta me Lëvizjen Vetvendosje. Kjo jo vetëm për arsye se Lista e Referendumit (VV + Guxo + Alternativa) arriti fitoren plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, por edhe sepse koalicioni ynë i përbashkët qeveritar ka dëshmuar se din dhe don ta bëjë ndryshimin e premtuar”, kishte shkruar Gërvalla.