Kurti numëron dukuritë negative që janë evidentuar dhe ndaluar në kabinetin qeveritar

Prishtinë | 12 Tet 2022 | 11:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 100-të të qeverisë ka numëruar dukuritë negative të cilat siç tha ai, janë evidentuar dhe ndaluar në të gjithë kabinetin qeveritar.

Ai përmendi ndalimin e ndërhyrjeve politike në procese të emërimeve, ngrirjen e 3 milionë eurove në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpëlarje të parave e shumë të tjera.

“Janë ndaluar ndërhyrjet politike në procese të emërimeve dhe është rritur cilësia e ekspertizës në komisione rekomanduese për procese të rekrutimit në ndërmarrje publike dhe pozitave të tjera të larta drejtuese. Janë ngrirë mbi 3 milionë euro në kuadër të hetimeve për financim të paligjshëm dhe shpërlarje të parave. Për shpronësime të dëmshme në vitin 2021 është dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimeve të rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht segmentin Kiev-Klinë-Zahaq, për të cilën raporti i auditivit ka gjetur një shpërputhje prej 12 milionë euro”.

“Është bllokuar rruga në terminalin doganor në Han të Elezit dhe është bërë shpronësimi i pronave për ndërtimin e rrugës shtetërore në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Elezit. Është dërguar raport në prokurori për 43 milionë euro të shpenzuara nga kontrata që i kemi trashëguar me vlerë totale 131 milionë euro kinse për rregullimin e shtretërve të lumenjve e pikërisht në shumë prej atyre lokacioneve ne vazhdojmë të kemi vërshime. Janë ndërprerë projektet në fushën e efiçiencës së energjisë që me kosto më të lartë sesa vlera e tregut pa planifikim të duhur për arritjen e objektivit do të rezultonin me dëmtim të lartë të buxhetit. Është formuar task-forca për parandalimin e keqpërdorimeve në subvencionime për fermerët dhe është rritur transparenca në raport me subvencione. Shumë nga produktet industriale s’kanë qenë të inspektuara për 23 vitet e fundit. Është ndaluar keqpërdorimi i buxhetit për rezervën shtetërore. Janë raportuar qindra lëndë e keqpërdorime për shkelje ligjore në polici e prokurori. Janë anuluar qindra projekte si rezultat i mungesës së dokumentacionit teknik, posedimi i kontratës aktive. Është fituar një rast në arbitrazhin ndërkombëtar. Kemi zgjidhjen e problemit shumëvjeçar për mosnjohje të diplomave, ndalimin e operimit të institucioneve të palicencuara dhe të paakredituara në sektorin e shëndetësisë. Në përgjithësi janë shlyer obligimet e trashëguara e financuara ndër vite dhe është reduktuar numri i lëndëve përmbarimore”.

Shefi i qeverisë poashtu tha se gjatë këtyre 100 mbledhjeve janë miratuar 910 vendime, prej të cilave 169 projektligje, 26 koncept-dokumente, e 11 nisma ligjore.

Të ngjashme