Kryetari i Lëvizjës Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë kësaj jave ka zhvilluar një takim me 120 studentët ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut, të cilët ishin të shoqëruar nga profesoresha Marijana Gradits, raporton Ekonomia Online.
Para studentëve, Kurti ka folur për zgjedhjet e 6 tetorit dhe vonesat në krijimin e institucioneve. Gjithashtu, para tyre ka paraqitur programin zhvillimor të Lëvizjes, e që sipas Kurtit në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit.
Ka thënë se prioritet i qeverisë së re do të jetë forcimi i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit
Komunikata e plotë:
Gjatë javës, Kryetari Albin Kurti mbajti një prezantim para 120 studentëve ndërkombëtarë nga Universiteti i Vjenës dhe ai i Venedikut, të cilët ishin të shoqëruar nga profesoresha Marijana Gradits.
Kryetari Kurti foli për situatën aktuale politike në vend, duke sqaruar rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit, arsyet e vonesës për formimin e institucioneve të reja dhe përpjekjet që po bëhen për formimin e tyre. Ai paraqiti para studentëve programin zhvillimor te Lëvizjes që në qendër ka krijimin e vendeve të reja të punës dhe shtetndërtimin demokratik ku ka sundim të ligjit. Prioritet i qeverisë së re se do të jetë forcimin i shtetit dhe zvogëlimi i pushtetit, theksoi ai në fjalën e tij.
Pas prezantimit të shkurtër, studentët parashtruan pyetjet që zgjeruan diskutimin mbi pikat programore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që lidhen me ekonominë dhe investimet, drejtësinë dhe procesin e vetingut si dhe edukimin dhe sistemin dual të arsimit. Studentët mes tjerash u interesuan edhe për qëndrimet e Lëvizjes për çështje të caktuara ndër vite, për hapat konkret të Lëvizjes si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme, si dhe për marrëdhëniet dhe politikat që bashkojnë komunitetet e ndryshme në Kosovë.
Studentët falënderuan Kryetarin Albin Kurti për prezantimin e bërë para tyre dhe përgjigjet në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ta. Kryetari Kurti njashtu i falënderoi ata për ftesën e tyre për pjesëmarrje në këtë diskutim dhe për interesimin e treguar.