Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në tryezën e partive politike, që ka organizuar kjo parti përmendi 16 arsyet që Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet:
1) E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe;
2) E vazhdoi me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë malltretuar njerëzit gjatë luftës;
3) I bëri plot 21 ministra, 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin porsi plaçkë;
4) Duke i shkelur së paku tri ligje, Ligjin e ZRrE-së, Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nënshkroi kontratën kapitulluese për termocentralin e ri me një fond investiv privat “Contour Global” të cilit ne ia garantojmë shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18,5%, kurse qytetarëve ua shtrenjtojmë energjinë elektrike;
5) Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë – rritja e pagës vetvetes është hajni;
6) Organizoi faljen e borxheve publike të ndërmarjeve të papërgjegjshme, a thua se po falte nga kuleta e vet. Falte jashtëligjshëm borxhe. Mund ta falësh gjobën ose ndëshkimin, por jo borxhin. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi në republikë parlamentare e jo qeveria. Falja e borxhit të privatit ndaj shtetit është privatizim abuziv.
7) Ratifikoi demarkacionin e Mehës dhe Thaçit me Malin e Zi, i cili na e ndryshon kufirin e na i humbet 8.200 hektarë;
8) Mashtroi për liberalizimin e vizave, ndërsa ne mbetemi ende vendi me qytetarët më të izoluar në Evropë;
9) E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj;
10) E dërrmoi Postën dhe Telekomin e Kosovës me keqmenaxhim e mbipunësim duke i shkaktuar humbje të mëdha drejt një bakrotimi të qëllimshëm;
11) Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale;
12) Na e diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e ç’regjistruar atë nga cilësia evropiane;
13) Si deficiti tregtar e borxhi publik po ashtu edhe mjerimi social vetëm sa janë rritur;
14) Pagoi 1 milionë euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike;
15) Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj.
Sipas Kurtit, Ramush Haradinaj është kryeministër që presidenti Hashim Thaçi e ka marrë me qera. Madje për të, Haradinaj është ushtrues detyre i kryeministrit.
Kurti shtoi se nëse Haradinaj do të kishte etikë do të duhej që vet të jap dorëheqje në mënyrë që vendi të shkoj në zgjedhje të lira e demokratike.
“Nëse duhet të ketë etikë në politike duhet te jap dorëheqje që vendi të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike. Dikur e mbante bajrakun për demarkacionin sapo u bë kryeministër e ndryshoi”.
“Të shkojmë në fushatë dhe Haradinaj e Veseli të ju tregojnë qytetarëve pse bënë statusin e Asociacionit. Këto të gjitha që i përmenda dhe duhet të jap dorëheqje kryeministri, nëse jo duhet në Kuvend të kërkojë votëbesimi sepse sipas kushtetutës kjo i takon”.
“Duhet të jap dorëheqje ose qeveria e tij të shikojë në Kuvend me votat që i merr, nëse jo ne si opozitë duhet të krijojmë mocion mosbesimi”.