Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi më shumë se njëorësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk ka rezultuar me marrëveshje politike, por ka shërbyer për diskutimin e zhvillimeve aktuale dhe mundësive për bashkëpunim. Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se në takim ai ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ndërsa shtoi se është diskutuar për sfidat politike dhe institucionale të vendit.
“Në anën tjetër, unë isha bashkë me ministrin e Financave dhe anëtarin tonë të Kryesisë, Hekuran Murati. Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave të cilat na presin në aq shumë fusha për progresin që i nevojitet qytetarëve të Republikës dhe shtetit tonë. Me ç’rast, natyrisht, ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona dhe besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Kurti.
Sipas tij, takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë normale dhe jo të jashtëzakonshme.
“Nuk mund të themi që takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë. Është normale që ato të ndodhin. Unë besoj që takimet ndërmjet subjekteve politike nuk do të duhej në përgjithësi të ishin lajm, meqenëse pavarësisht a jemi në opozitë apo në qeverisje, ne duhet të takohemi, duhet të komunikojmë, duhet të bashkëpunojmë për ato për çfarë pajtohemi dhe duhet të synojmë të pajtohemi edhe për ato për të cilat nuk pajtohemi”, u shpreh ai.
Kurti kritikoi edhe mungesën e takimeve me kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, duke thënë se kjo është e pajustifikueshme.
“Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arritëm të takohemi sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotëri Ardian Gjinin, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Gjakovës, përkundër përpjekjeve tona. Mendojmë që është e paarsyeshme që të mos takohemi e bisedojmë kur e dimë që politikanët në Kosovë, edhe vendorë, por edhe me diplomatët e politikanët ndërkombëtarë, takohen aq shumë e shpesh sa pothuajse secili me secilin, e tash të mos takohet vetëm kryeministri, përkatësisht unë, me kryetarin e një komune, përkatësisht kryetarin e AAK-së, Gjini, besoj që kjo është lajm sot në Kosovë”, thotë ai.
Ai tha se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së dhe atë të AAK-së.
“Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së, i cili u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi i bisedimeve, e kemi një situatë tjetër gjithashtu jo të lehtë, për shkak se kryetari i PDK-së u vetëpërjashtua në fillim të procesit të bisedimeve. Zhvilluam vetëm një takim, unë besoj që duhet të takohemi edhe më tej. Kjo nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria ime, përveçse interesimi im, do të jenë gjithmonë aty. Pra, në një kohë të përshtatshme, në cilindo vend që zgjedhin ata, unë jam i gatshëm që të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së. Kemi aq shumë tema për t’i diskutuar, nuk besoj që nuk ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka shumë gjëra për të cilat pajtohemi dhe që mund t’i shndërrojmë në një plan veprimi. Në anën tjetër, për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, u shpreh tutje.
Duke folur për takimin me LDK-në, Kurti konfirmoi se nuk është arritur marrëveshje politike.
“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Pra, diskutuam për qasjet e ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha ai.
Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një dakordim, zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por ndërkohë që e bëjmë këtë, meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike në ditën e nesërme, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së XI”, shtoi Kurti.
