Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën janë të shkëlqyera dhe çdo ditë sa vijën e forcohen e thellohen, raporton Ekonomia Online
Kurti pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, shtoi se të dy ka pasur një bisedë të përzemërt me senatorët.
Ai theksoi se marrëveshja me Serbinë duhet zbatohet tërësisht e pa kushtëzime.
“Me senatorët Murphy dhe Peters patëm një bisedë të përzemërt. Pikë së pari folëm për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve tanë, të cilët sa vije e forcohen, sa vije e thellohen. E sot, krahas marrëdhënieve dypalëshe diskutuam po ashtu mbi zhvillimet e fundit në vend, qeverisjen tonë tani e diç më shumë se dyvjeçare, arritjet, progresin dhe synimet përpara.
“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pakushtëzime”, tha ai.
Të dy senatorët fillimisht janë pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmani.
Në prillin e vitit të kaluar senatori amerikan Chris Murphy kishte vizituar Prishtinën e Beogradin.
Murphy në atë kohë shprehej i prerë se duhet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ai madje e kishte vlerësuar si “kokëforte” qasjen e kryeministrit Kurtit.