Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me qëndrimin e Aleancës për gjashtëpikëshin, tha se një parti nuk mund t’i kërkojë një subjekti tjetër zbatimin e programit të saj elektoral, raporton Ekonomia Online.
“Së pari, unë besoj që duhet të takohemi. Nuk ka kurrfarë kuptimi që të vësh kushte e të refuzosh takimin. Ne sapo kemi dalë nga zgjedhjet dhe secili kemi dalë me zotimet tona, dhe ne duhet t’u përmbahemi zotimeve tona. Unë nuk mund të pres që një parti tjetër politike t’mi përmbushë mua premtimet. Unë kërkoj votën tek qytetarët për programin elektoral që prezantoj dhe, karshi mbështetjes që marr, edhe sillem e veproj.
Pra, është me të vërtetë absurde kur përfundojnë zgjedhjet, ke marrë aq sa ke marrë me programin tënd, dhe më pastaj elementët e programit tënd i pasqyron edhe më shumë dhe përpiqesh t’ia imponosh si kushte një subjekti tjetër politik me të cilin refuzon të takohesh. Pra, megjithatë, është situatë absurde”, tha Kurti.
Kurti foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së dhe marrëveshjen e arritur më herët mes dy subjekteve politike.
“Por edhe njëherë po thërras, për rrugën se çfarë mund të bëhet përpara në këtë situatë të re, nevojitet që përsëri të bisedoj me kryetarin e LDK-së, por edhe me kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse unë kisha mandat nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për marrëveshje.
Tash, në kushtet kur marrëveshjen politike e kemi, por ajo nuk është e realizueshme me votat në Kuvend, siç e kemi pandehur më herët, duhet të rikthehemi që të shohim se, karshi Lidhjes Demokratike të Kosovës, çfarë mandati mund të kem në rrethanat ku edhe njëherë u vërtetua te grupi parlamentar se ne duhet ta pohojmë që marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës kemi, aq më tepër që ajo e mori mbështetjen e plotë të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pra, ju e kuptoni që nuk kanë dalë gjashtë deputetë të LDK-së kundër meje. Se fundja, çfarë mendojnë për mua, mbase e kemi marrë vesh edhe më herët. Mirëpo, ata dolën kundër vendimit të kryesisë së LDK-së. Pra, marrëveshja politike ekziston. Është marrëveshje LDK–Vetëvendosje për emrin e Bekim Sejdiut si president i ardhshëm, por nuk e kemi mbështetjen e mjaftueshme, ashtu qysh edhe kryesia e Vetëvendosjes, edhe kryesia e LDK-së e kanë konstatuar”, tha Kurti.