Kurti: Për nëntë muaj 332 raste me kancer të gjirit , zbulimi i hershëm shpëton jetë

Prishtinë | 02 Tet 2023 | 09:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, tha se zbulimi i hershëm i kancerit është parakusht që të shpëtohen jetë njerëzish, raporton Ekonomia Online.

Ai, në lansimin e fushatës ndërgjegjësuese me moton “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë”, me rastin e muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, u ka bërë thirrje të gjitha grave e vajzave që të bëjnë kontrolle të vazhdueshme në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje.

Kreu i Qeverisë, tha se në bazë të statistikave, në nëntë muajt e fundit, 332 pacientë janë diagnostifikuar me kancer të gjirit dhe se një në tetë gra është e prekur.  

Më tej, shtoi se Qeveria po punon që të krijohen kushte për trajtimin e sëmundjes dhe se e kanë rritur buxhetin për barna.

“Jam i gëzuar që jam këtu me ju për të hapur fushatën kundër kancerit të gjirin, një sëmundje e përhapur jo vetëm në vendin tonë. Jemi bashkë në këtë betejë, duke se një në shtatë vdekje vijnë nga kanceri i gjirit”.

“Fokusi është në zbulimin e hershëm, për këtë angazhohemi në investime në sistemin shëndetësor. Iu bëjmë thirrje grave e vajzave që të kontrollohen vazhdimisht. Si Qeveri kujdesimi që të zbulojmë hershëm këtë sëmundje dhe të kemi trajtimin e duhur. Në këtë betejë për jetë Ministria po punon në zgjerimin e trajtimit të kimioterapisë edhe në Spitale Regjionale”.

“Kemi rritu ndjeshëm buxheti për barna. Kemi dy pajisje të teknologjisë fundit për trajnimin e kësaj sëmundje. Statistika tregojnë që një në tetë gra kanë kancer të gjirit. Në nëntë muajt e fundit 332 pacientë janë dignostifikuar me kancer të gjirit, i’u bëjë thirrje të gjithëve për kontrolle të vazhdueshme. Të gjitha grave iu themi se nuk janë vetëm dhe se sëmundjen do ta mundim bashkë”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se është investuar në aparaturën që mundësojnë zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve malinje, raporton EO.

Sipas ti, edukimi dhe kontrolli i rregullt janë faktori kyç për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje.

“Kanceri i gjirit si në nivel global ashtu edhe në vendin tonë është në statistika të njëjta. Synimet nuk mund të arrihen pa e rritur financimin, të cilën Qeveria jonë e ka rritur dhe ka investuar në aparaturën e zbulimit dhe trajtimit të sëmundjeve malinje”.

“Të gjitha këto veprime janë detyrim i yni po ritheksojmë faktin se edukimi, kontrolli i rregullt janë faktori kyq për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e suksesshëm të kësaj sëmundjeje. Mbështetja e grave të prekura, mbështetja emocionale me psikologë e profile të tjera për këto gra është e domosdoshëm”.

Nafije Latifi, drejtoreshë e “Jeta Vita”, tha se Klinika e Onkologjisë punon në kushte të vështira. Ajo shtoi se të gratë e operuara nga kancerit t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit.

“Sivjet synimi ynë janë komunitetet me qëllim që ta shtrijmë vetëdijen te e gjithë popullata. Klinika e Onkologjisë me një staf shumë punëtorë punon në kushte të vështira, me kërkesa të mëdha për trajtim, mungesë shtretërish etj”.

“Kërkesa jonë është që gratë që janë operuar nga kanceri i gjirit t’iu mundësohet mbulimi i shpenzimeve nga institucionet për ristrukturim të gjirit”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit  profesor Naser Ramadani,  drejtor i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike,

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, zotëri Arben Vitia,

Të nderuar zëvendësministra, Dafina Gexha – Bunjaku dhe Arsim Berisha,

I nderuar shefi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Oleksandr Martynenko,

E nderuara drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Jeta Vita”, znj. Nafije Latifi,

Të nderuar profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të organizatave partnere në luftë kundër kancerit të gjirit,

Të nderuara media të pranishme,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Jam i gëzuar që ndodhem këtu mes jush, për të hapur fushatën e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit një sëmundje të rëndë dhe aq të përhapur jo vetëm në vendin tonë. Jam këtu për të ritheksuar mbështetjen e Qeverisë për të gjitha përpjekjet institucionale dhe shoqërore në zhvillimin e programeve ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit dhe më vjen aq mirë që jemi bashkë në këtë betejë sepse duke qenë bashkë edhe e fitojmë atë.

Nga të gjitha, vdekjen nga kanceri, 1 në 7 vdekje vjen nga kanceri i gjirit. Përderisa shkenca nuk ofron një qasje parandaluese, fokusi është në zbulimin e hershëm të sëmundjes. Për këtë angazhohemi bashkë, me investimet në sistemin tonë shëndetësor dhe me rritjen e vëmendjes dhe të vetëdijes për rëndësinë e ekzaminimeve rutinore.

Me angazhim të përbashkët  dhe me vetëdije të ngritur për sëmundjen, mund ta minimizojmë rrezikun. Andaj, në hapje të kësaj fushate ndërgjegjësuese, u bëjmë thirrje grave dhe vajzave,  që të kujdesën për vetën, duke vizituar mjekun e afërt, e duke u kontrolluar edhe kur mund të mos keni shqetësime.

Si Qeveri, përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore, për zbulimin e hershëm dhe për trajtimin e kancerit të gjirit, për të gjithë qytetarët, duke siguruar qasje multidiciplinare.

Vendi ynë ka një shtrirje relativisht të mirë të qasjes së qytetarëve te mjeku familjar, por edhe në kapacitetet ekzaminuese të cilat po shtohen edhe në muajt në vijim.

Në këtë betejë për jetën, Ministria e Shëndetësisë po vepron në zgjerimin e hartës së shërbimit të kemioterapisë dhe terapisë tabletare në spitale rajonale. Kemi decentralizuar shpërndarjen e terapisë tabletare në Spitalin e Prizrenit dhe jemi në përgatitje të decentralizimit edhe të shërbimit të kemioterapisë për të sjellë shërbimin sa me afër qytetarëve. Me vendosmërinë tonë për të siguruar barnat për qytetarët tanë që përballën me sëmundje, edhe e kemi rritur ndjeshëm buxhetin për barna. Kosova sot ka dy pajisje të gjeneratës së fundit për radioterapi, akceleratorë linearë, si dhe listë të pritjes në norma më optimale në raport me vendet e rajonit.

Edhe ky është një proces reformues shëndetësor në kuadër të programit qeveritar, që synon programe të mirëfillta të screen-ingut, trajtim shëndetësor bashkëkohor, furnizim të qëndrueshëm me barna, decentralizim të shërbimeve onkologjike, si dhe trajnim të profesionistëve shëndetësorë dhe Qendrës për Kujdes Paliativ të përhershëm, një hallkë kjo, e cila ka munguar brenda sistemit tonë shëndetësor.

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 gra, mirëpo paraqitet edhe tek burrat, por me shkallë më të ulët të rrezikut, 1 në 100 raste. Në këta nëntë muaj të vitit 2023, 332 pacientë janë diagnostikuar me kancer të gjirit.

Andaj, në këtë muaj që i përkushtohet ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, u bëj thirrje të gjitha grave dhe vajzave tona, por edhe burrave e djemve, për kujdes ndaj vetës dhe ekzaminim të hershëm, sa më të hershëm. Siç thotë edhe slogani i fushatës: “Zbulimi i hershëm, shpëton jetë!”.

Të gjitha grave që po luftojnë me vendosmëri për jetën, u themi se nuk janë vetëm. Luftën do ta bëjmë bashkë dhe sëmundjen do ta mposhtim bashkërisht.

Pikërisht bashkësia e sjellë edhe vullnetin edhe optimizmin e nevojshëm për fitore!

Ju faleminderit!

Të ngjashme