Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Bashkimi Evropian është qëllimi dhe fati i Kosovës dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, raporton Ekonomia Online.
Në nisje të takimit në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, Kurti është shprehur të hënën se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mundësojnë sa më shumë bashkëpunim rajonal dhe “ecje më të përshpejtuar drejt BE-së që është qëllimi e fati ynë”.
Sa i përket kësaj, kryeministri Kurti tha se Kosova sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërsa ditëve në vijim do të dorëzojë listën e projekteve.
Në fund, Kurti falënderoi BE’në, SHBA’të dhe Maqedoninë e Veriut për organizimin e këtij takimi, që sipas tij do të mundësojë bashkëpunim rajonal dhe do të përshpejtojë anëtarësimin në BE.
“Pra Brukseli dhe Uashingtoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e BE’së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE’së duhet të jetë edhe financiare. Plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë. Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq ditëve në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën në administratë publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor. Me këtë rast, dua të falendëroj BE’në, SHBA’në dhe Maqedoninë e Veriut për këtë takim fort të rëndësishëm, i cili do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt BE’së që është qëllimi dhe fati ynë”, tha ai.