Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe populli i saj e di kush është Serbia, duke i komentuar deklaratat e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Martyt, i cili ka thënë shteti serb është duke planifikuar ta vrasë atë dhe se fajin do t’ia lërë Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kurti këtë e ka quajtur “lojë” të BIA-s.
“Ju e dini shumë mirë se Shërbimi sekret i Serbisë, gjatë vite 70-ta, e 80-ta jo vetëm 90 ka vrarë shumë patriot e veprimtar shqiptarë, andaj këtë mënyrë të punës së tyre të mbrapshtë e kanë të ushtruar ndër dekada, ndër ata që u vranë janë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka e deri tek Enver Hadri e shumë e shumë të tjerë, pra mënyra si ka operuar Shërbimi sekret serb në Evropën Perëndimore ndaj shqiptarëve edhe kroatëve është i njohur botërisht, duket që atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt e duke na fajësuar neve”, ka thënë Kurti.
Kurti po ashtu ka thënë se do të kenë diskutime me Zvicrën për këtë rast.
“Do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë”, përfundoi Kurti.
Kurti ka folur edhe për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë është, për të cilën tha se është shprehje e frikës së saj se do të mbetet e vetmuar. Sipas tij, Kosova është e brengosur dhe e vëmendshme për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, por nuk ka frikë.
“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe Kosovën, por është shprehje e frikës së saj se mund të ngelet e vetmuar atëherë kur nuk do të mund të qëndrojë në disa karrige siç është mësuar”, tha Kurti. Jemi të brengosur dhe të vëmendshëm por nuk frikësohemi. Ata kanë 42 baza ushtarake ofensive, por ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO-ja është te ne”, u shpreh Kurti.