Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar serish për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.
Pas homazheve që bëri te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë, Kurti deklaroi se këto sulme i quajti terroriste, me synim që të vrasin policët e Kosovës.
Ai ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale. Iu takon organeve të rendit të bëjnë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin por në anën tjetër edhe për t’u vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrin në vijim në mënyrë që ta pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale por sulme mbi policet që kanë pasur për qëllim të vrasin. Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë tolerancë nga qeveria e Kosovës”, tha Kurti
Kurti ka folur edhe për raportimet e disa mediave serbe, se Britania e Madhe ka dërguar armë raketore në Kosovë. Kurti e mohoi një gjë të tillë duke thënë se nuk bën që deklaratat nga Beogradi të merren si fakte.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi, nuk bën kurrsesi që të merrni si fakte. Këtë na mëson e kaluara dhe e tashmja jonë. Ne e kemi rritur buxhetin për 52% për ushtrinë. Për të gjitha hapat e mëtutjeshme që ne i marrim, duhet t’i merrni informacionet nga qeveria, ministria e mbrojtjes e nga FSK-së. Mos i merrni deklaratat e tyre për fakte, e pastaj të na bëni pyetje neve”, shtoi tutje kryeministri.