Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar kabinetin për udhëtimet në ShBA dhe Poloni, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se ka pasë “takime të shumta” atje për thellim të marrëdhënieve, ndërsa shtoi se ka takuar edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ato me Kosovën, historinë dhe synimet demokratike të saj. Kurti ka falënderuar diasporën në këto dy vende për pritjen madhështore që i kanë bërë.
“Takimet të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin. Takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë me synimet tona demokratike e veriatlantike për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë”.
“Këto vendet mosnjohëse pra synojmë që t’i afrojmë e ndërkohë me vendet që na kanë njohur t’i thellojmë raportet biletarale. Mikpritja madhështore nga diaspora jonë në ShBA e Poloni na la mbresa të forta dhe emocione të pashlyeshme, për të cilat i falënderoj përzemërsisht. Sinergjia e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës në përgjithësi me ta është e domosdoshme përveçse e nevojshme si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen e vendit”, tha Kurti.
Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e Qeverisë:
Sapo erdha nga Leposaviqi, ku ishim bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë dhe drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, dr. Zef Ndrejaj, meqenëse në Leposaviq për dy ditë do të qëndrojë mamografi për t’iu mundësuar kontrolle vajzave dhe grave, në mënyrë që të bëhet sa më shumë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit, për parandalimin dhe diagnostikimin e tij, duke shkuar bashkë në çdo komunë të Republikës sonë. Kujtojmë që ky muaj shënon edhe tetorin rozë, si thirrje për ngritjen e vetëdijes për rrezikun e kancerit të gjirit, ku vetëkontrollet, vizitat mjekësore e mamografia, duhet të bëhen pjesë e rutinës, sepse janë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.
Pas Leposaviqit, mamografi do të vazhdojë drejt komunës së Vitisë, gjersa më herët ka qenë edhe në komunën veriore të Mitrovicës. Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Leposaviq, bashkë me ministrin Vitia, pamë nga afër edhe një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet, që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që ato të mos kenë nevojë që ta kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë me dhjetëra kilometra, edhe mbi 50 kilometra deri në Novi Pazar, ku më pastaj edhe po ua regjistrojnë foshnjat si qytetarë e si banorë të Serbisë.
Gjatë kësaj vizite, me neve ishin edhe kryetari i Komunës atje, Lulzim Hetemi, nënkryetarja Marina Bogojeviq dhe drejtorja e Shëndetësisë, Marina Zdravkoviq.
E kjo javë, nisi me një lajm shumë të mirë, siç e dimë të gjithë, për pensionistët. Duke filluar nga ky muaj, do të zbatohet rritja për 20 për qind për pensionin Bazik të Moshës; atë Kontributpagues, të Plotë dhe Parcial; pensionin e Aftësisë së Kufizuar, për Fëmijë dhe për të Rritur; pensionin për Personat e Verbër; atë për Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë; pensionin Familjar, Invalidor të Punës dhe atë të Parakohshëm për punëtorët e Trepçës.
Ndërkaq, nga muaji janar i vitit 2025, do të rriten edhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Përveç rritjes prej 20 për qind, për familjet e dëshmorëve dhe familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se një familjar dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshojë edhe formula e llogaritjes për anëtarë të tjerë. Nga sa është tash 20% e bazës për anëtarin e dytë dhe 10% për të tjerët, shtesa do të llogaritet si 50% e bazës për secilin anëtar tjetër dëshmor apo të zhdukur, deri në nivelin e familjes me 4 e më shumë dëshmorë apo të zhdukur gjatë luftës së fundit.
Puna jonë për rritjen e mbështetjes së pensionistëve nuk përfundon me kaq. Ajo vazhdon edhe më tej, konkretisht me punën tonë drejt finalizimit të reformës pensionale, e cila do të sigurojë që ata e ato të cilët kontribuuan më së shumti për këtë vend, të kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm.
Gjatë këtij mandati tonë qeverisës, tash kur kemi hyrë në gjashtëmujorin e fundit, pensionet pra, ai bazik është rritur nga 90 në 120, për një të tretën, ndërkaq, në anën tjetër katër herë kemi pasur edhe mbështetje financiare të njëhershme nga 100 euro.
Prandaj, të gjitha këto rritje janë bërë pikërisht për të zbatuar programin tonë në kuptimin e frymës edhe vlerës së tij, që ata të cilët kanë shumë nevojë, t’ju ndihmojnë më së shumti e më së pari dhe gjithashtu nuk paraqet reformën pensionale ende, të cilën do ta bëjmë në një të ardhme të afërt, në mandatin tonë të ardhshëm.
E së fundmi, ishim edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Poloni, ku morëm pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York dhe më pastaj edhe në Forumin e Sigurisë në Varshavë. Takime të shumta bilaterale me shtete mike, aleate e partnere e kanë karakterizuar vizitën tonë, për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, teknologjisë e inovacionit, energjisë, sigurisë e mbrojtjes, por takuam edhe udhëheqës të shteteve mosnjohëse, për t’i njohur ata sa më gjerë e më gjatë, e më thellë me vendin tonë, me historinë tonë, me synimet tona demokratike e veriatlantike, për të afruar sa më shumë ato vende drejt njohjes së vendit tonë dhe vendosjes së bashkëpunimit e të marrëdhënieve bilaterale, sa më parë aq më mirë, ku edhe prezantuam edhe perspektivën tonë për realizimin e rritjes ekonomike e të progresit demokratik të vendit tonë.
Këto vendet mosnjohëse pra, synojmë që t’i afrojmë, e ndërkohë me vendet të cilat na kanë njohur, t’i thellojmë raportet bilaterale edhe sa i përket investimeve ekonomike, shkëmbimeve kulturore e rritjes së volumit tregtar ne eksport e në importe.
Mikpritja madhështore nga diaspora jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Poloni, na la mbresa të forta dhe emocione të pashlyeshme, për të cilat i falënderoj përzemërsisht. Mërgata jonë vazhdon të ketë një rol kyç në zhvillimin dhe progresin e vendit e sinergjia e qeverisë dhe institucioneve të Republikës në përgjithësi me ta, është e domosdoshme, përveçse e nevojshme, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e vendit.
E kjo mbledhje e qeverisë, e cila është e 223-ta me radhë, do të sjellë vendime të tjera të rëndësishme e të volitshme. Sot do të miratojmë në qeveri Agjendën e Reformave 2024 -2027 në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, e cila do t’i sjellë vendit tonë rreth 882 milionë euro. Gjithashtu do të shqyrtojmë ndër të tjera edhe projektligjin për Shërbimet e Pagesave nga ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore nga ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, atë për Inspektoriatin Qendror të Trashëgimisë Kulturore nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe kërkesën e ministrisë së Shëndetësisë për pagesën e 22 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës, Republika e Shqipërisë e Malit të Zi.
Pra, meqë kemi shumë punë përpara, në një mbledhje me shumë pika, ju falënderoj shumë për vëmendjen, e tash po kalojmë tek agjenda e paraparë për mbledhjen e sotme.
LEXONI EDHE: