Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 558-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke e cilësuar atë si personalitetin më të rëndësishëm dhe më të njohur në historinë e shqiptarëve ndër shekuj.
“Në tërë historinë e shqiptarëve, të të gjitha kohërave, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është personaliteti më i rëndësishëm dhe më i njohur”, ka shkruar Kurti në një postim, duke rikujtuar se heroi kombëtar vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë, i rrethuar nga bashkëluftëtarët dhe lavdia e fitoreve të tij.
Sipas Kurtit, Skënderbeu për një çerekshekulli udhëhoqi rezistencën kundërosmane dhe punoi pareshtur për ndërtimin e aleancave politike me fisnikët arbër dhe faktorë të tjerë në rajon.
“Nga një sinjor mes shumë të tillësh, ai u shndërrua në një strateg ushtarak dhe prijës politik ndër më të njohurit në Evropën e Mesjetës së vonë”, ka theksuar Kurti.
Ai ka kujtuar gjithashtu rolin e Skënderbeut në bashkimin e fisnikëve shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 1444, si dhe aleancat me Mbretërinë e Napolit dhe Aragonës, marrëdhëniet diplomatike me Papatin në Romë, Republikën e Raguzës dhe Republikën e Venedikut.
“Jehona e fitoreve kundër osmanëve të pathyeshëm të kohës i dhanë Skënderbeut namin e një prej prijësve më gjenialë dhe më të paepur në Evropë”, ka shkruar Kurti.
Në postimin e tij, kryeministri ka nënvizuar se figura e Skënderbeut vazhdoi të frymëzojë breza të tërë edhe pas vdekjes, veçanërisht shqiptarët nën pushtimin osman dhe arbëreshët në Itali.
“Rilindasit e shekullit XIX e vendosën Skënderbeun si një nga shtyllat e kombformimit dhe shtetndërtimit shqiptar”, ka shtuar ai.
Kurti ka theksuar se historia dhe vepra e Skënderbeut mbeten aktuale edhe sot.
“Skënderbeu vazhdon të jetë në qendër të identitetit kombëtar dhe historik shqiptar, si figurë përbashkuese për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë”, ka përfunduar Kurti, duke e mbyllur mesazhin me thirrjen: “Lavdi ndër kohëra Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve”
