Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se java e lëvizjes nisi më 10 qershor me shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe përmbyllet sot më 17 qershor, me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit.
Kurti përmes një statusi në rrjeti social në Facebook ka shkruar se me aktivistë e banorë të Krushës së Madhe, në shtëpinë muze, bashkë me Avni Deharin vendosën dy palë rroba të bacës Ukë.
“Java e Lëvizjes nisi me 10 qershor me shënimin e përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe përmbyllet sot me 17 qershor me shënimin e ditëlindjes së Ukshin Hotit. Me aktivistë e banorë të Krushës së Madhe, në Shtëpinë Muze, bashkë me Avni Deharin vendosëm dy palë rroba të Bacës Ukë: xhemperin që e ka preferuar më së shumti dhe një kostum vere të cilin e veshi kur doli nga burgu i parë. Ai kostum shihet edhe në fotografinë nga një koncert i Shkurte Fejzës në Kërçovë”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, librat e profesor Hotit, jeta e tij vepër dhe rikthimi te kjo shtëpi na mbajnë fort në rrugë të drejtë dhe përplot me energji për ecjen përpara.