Kryeministri Albin Kurti tha se pikat e tjera kufitare me Serbinë do të hapen për mallrat pasi të vijnë skanerët, raporton Ekonomia Online. Sipas tij, skanerët ia kanë premtuar evropianët dhe amerikanët, por ka shtuar se edhe Kosova ka shprehur gatishmëri t’i blejë.
Në konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti shtoi se në Merdarë, ka kontroll të shtuar.
“Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë pasi për dy vjet na kanë sjell katër herë ushtrinë në kufi dhe kemi konfiskuar katër herë sasi enorme të armatimit”.
“Grupi i Radoiçiqit mbetet i lirë në Serbi. Mirëpo, sot është mbledhje e CEFTA-s, e cila tashmë ka filluar dhe të hënën është Samiti i Berlinit ku duhet të avancohet CEFTA. Nuk kemi mund ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marrë skanerët që edhe duam t’i blejmë e edhe na kan[ premtuar edhe evropianët edhe amerikanët”.
Kurti, shtoi se masat e BE-së ndaj Kosovës janë bërë absurde. Ai ka thënë se presin që këto masa të hiqen një orë e më parë, raporton EO.
“Ne vazhdimisht kërkojmë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që datojnë nga qershori i vitit të kaluar. Ato masa nuk kanë qenë të drejta asnjëherë e tash janë bërë edhe absurde për shkak se edhe vetë përfaqësuesi i lartë i BE’së dhe njëkohësisht zv/presidenti i Komisionit Evropian i ngarkuar për siguri dhe politikë të jashtme i ka shkruar letër 27shes të BE’së se masat duhen hequr”.
“Borrell në largim e sipër mund t’ua konfirmojë këtë çfarë po them unë se është ai që ka kërkuar që masat të hiqen por këto nuk janë bërë ende andaj masat e padrejta edhe të dëmshme janë bërë edhe absurde dhe ne presim që ato të hiqen një orë e më parë duke qenë të bindur se është dashur të hiqen qysh dje”.
“Kemi hapur një pik të kufirit me ç’rast është në Merdare, ku terminali doganor është vetëm 300 metra larg vendkalimit kufitar, ku lejohen mallrat, por me kontroll të shtuar. Meqenëse, bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi jo për masa tregtare, siç janë përpjekur disa të na mveshin”.
LEXONI EDHE: