Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti “po bën gjithçka” që tre policët e Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe, “të lirohen sa më shpejt të pacenuar”.
Tre policët e Kosovës, ishin duke patrulluar në Leposaviq më 14 qershor, pranë kufirit me Serbinë, kur sipas autoriteteve në Kosovë, u rrëmbyen nga forcat serbe.
Serbia thotë se i arrestoi ata “thellë” brenda territorit serb dhe një gjykatë në Kralevë ka shqiptuar ndaj tyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
“I ftojmë edhe një herë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë agresionin e Serbisë më 14 qershor, kur njësitet e tyre speciale ushtarake dhe policore rrëmbyen policët tanë, njësiti anti-terror dhe ai ‘Kobra’ i ushtrisë tre policët tanë në Leposaviq të cilët ndodheshin pikërisht te një rrugë e mbyllur ilegale e kontrabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë të lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, që është shef i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, do ta arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti për mediat më 18 qershor.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, më herët gjatë javës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tre policët “po mbahen në kushte çnjerëzore, pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor”.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pala serbe, e cila ka akuzuar Prishtinën për keqtrajtimin e serbëve të arrestuar.
Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor ka deklaruar se “bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”.
Rasti i tre policëve të Kosovës po ndodh në kohën e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Tensionet në këtë pjesë, që banohet me shumicë serbe, nisën më 26 maj kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të tri komunave që të hyjnë në objektet komunale, përkundër kundërshtimit të serbëve lokalë.
Kryetarët e rinj të katër komunave në veri u zgjodhën më 23 prill, në zgjedhjet që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona nga të dyja palët. /REL