Kurti: Politikat rajonale duhet t’i heqin barrierat ekonomike, shoqërore dhe territoriale

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 13:32 | Nga Ekonomia Online

Politikat rajonale duhet t’i heqin barrierat ekonomike, shoqërore e territoriale. Në këtë mënyrë rajonet mund të bëhen më garuese, të zhvillojnë ekonominë dhe të krijojnë vende të reja të punës, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të Konferencës ndërkombëtare për zhvillim rajonal.

Në këtë konferencë të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri theksoi se na duhen politika rajonale të zhvillimit, në mënyrë që të promovojmë solidaritet më të madh e të reduktojmë pabarazitë mes rajoneve.

Duke theksuar domosdoshmërinë e intervenimit të shtetit me politika rregulluese, në mënyrë që të mos kemi zhvillim të pabalancuar, kryeministri tha se po ashtu na duhet bashkëpunimi ndërshtetëror e ndër-kufitar.

Integrimi në Bashkimin Evropian është proces i natyrshëm për ne dhe në përputhje me orientimin tonë shtetëror dhe vlerat tona shoqërore, tha kryeministri, duke shtuar se krahas këtij procesi ne mbështesim fuqishëm edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal ka fuqi transformuese sepse zonat kufitare i kthen nga vende që ndajnë shtetet, në pikëtakime që i bashkojnë ato, theksoi kryeministri Kurti.

Ai tha se qytetarët në secilën anë të kufirit duan punë, drejtësi, mirëqenie e progres, e detyrë e jona është që të realizojmë potencialin e tyre duke hequr barrierat e duke i rritur mundësitë.

Të ngjashme