Kurti premton më shumë subvencione për prodhuesit

Prishtinë | 04 Pri 2023 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati si dhe Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vizitoi sot kompaninë S//Sprint, prodhues vendor i tekstilit në Podujevë.

Ai u shpreh i nderuar me pritjen e përzemërt që iu bë sot nga bashkëpronarët, Xufë dhe Sami Sopa, stafi menaxherial dhe punëtorët.

“Znj. Xufë ka filluar me pesë punëtorë, e tash kanë mbërritur në 180 punëtorë e gjatë sezonës shkon deri në 350 punëtorë. Përveç kësaj është e rëndësishme të theksohet që materialet janë organike dhe të riciklueshme dhe gjithashtu lënda e parë merret në një version shumë rendimentar, shumë primar në mënyrë që maksimumi i përpunimit të bëhet këtu brenda vendit’’, tha ai.

Kompania S//Sprint prodhon 143 lloje të ndryshme të produkteve, të cilat ndahen dy grupe: veshje sportive dhe veshje të brendshme. Në grupin e parë të produkteve kapaciteti prodhues në vit shkon deri në 180 mijë njësi, kurse sa i përket grupit të dytë, kapaciteti prodhues arrinë deri në 900 mijë njësi në vit.  Si prodhuesi më i madh i vendor në industrinë e tekstilit, kjo kompani, krahas tregut vendor, eksporton produktet e saj në Zvicër dhe Gjermani, teksa janë në bisedime për zgjerimin e eksportit edhe në vende tjera, ndërkohë që pjesën më të madhe të shitjeve e realizojnë online.

Gjatë vizitës panë nga afër edhe teknologjinë dhe pajisjet automatike e elektronike të cilët e kanë rritur cilësinë dhe produktivitetin. Njëra prej tyre ishte rezultat i donacionit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së bashku me Bankën Botërore.

Kryeministri i falënderoi pronarët për kontributin e tyre si një ndër tre tatimpaguesit më të rregullt në vendin tonë dhe i inkurajoi që sa më shumë t’i shfrytëzojnë masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe për mbështetje të punëtorëve por edhe të biznesit.

“Pra më shumë punësim, më shumë prodhim, më shumë fitim e më shumë tatime”, tha ai në fund.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit:

Sot ishim të nderuar që na kanë mirëpritur përzemërsisht çifti pronar, Xufa dhe Samiu, këtu në S/Sprint një industri e tekstilit e cila shënon prodhuesin më të madh në këtë sektor në vendin tonë.

Përveç që prodhojnë edhe eksportojnë jashtë pra prodhimet e tyre janë gjithandej Kosovës në tregun tonë të brendshëm dhe eksportojnë në Zvicër, në Gjermani e janë në bisedime edhe për vende të tjera ku një pjesë e madhe e shitjes bëhet online.

Znj. Xufë ka filluar me pesë punëtorë, e tash kanë mbërritur në 180 punëtorë e gjatë sezonës shkon deri në 350 punëtorë. Përveç kësaj është e rëndësishme të theksohet që materialet janë organike dhe të riciklueshme dhe gjithashtu lënda e parë merret në një version shumë rendimentar shumë primar në mënyrë që maksimumi i përpunimit të bëhet këtu brenda vendit.

I kanë gjithsejtë 143 lloje të produkteve, në dy kategori të mëdha të veshjeve të brendshme dhe të veshjeve sportive për të dy gjinitë dhe gjithashtu për të gjitha moshat. Tash kanë shtuar edhe pajisje automatike e elektronike të cilët e kanë rritur cilësinë dhe produktivitetin. Njëra prej tyre që patëm rastin ta shohim ishte rezultat i donacionit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së bashku me Bankën Botërore ndërkaq tjetra donacion i USAID-it, edhe i Mbretërisë së Suedisë.

I inkurajuam që sa më shumë t’i shfrytëzojnë masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe për mbështetje të punëtorëve por edhe të biznesit.

E falënderoj shumë znj. Xufë, Samiun dhe menaxheren e re, Jetën për këtë kontribut që po bëjnë edhe për popullsinë por edhe për shtetin meqenëse janë një ndër tre tatimpaguesit më të rregullt në vendin tonë. Pra më shumë punësim, më shumë prodhim, më shumë fitim e më shumë tatime.

Të ngjashme