Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar rritje të numrit të të punësuarve të komunitetit rom, për të cilën tha se ka formuar ekipin ndërinstitucional, raporton Ekonomia Online.
Këtë deklarim, shefi i ekzekutivit e bëri në bashkëbisedimin me përfaqësuesit e komunitetit rom për sfidat dhe mundësitë e këtij komuniteti, në tryezën e organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit.
“Kemi pa zhvillime pozitive për komunitetin. Këtë muaj kemi formuar ekipin ndërinstitucional dhe jemi të interesuar ta nxisim punësimin e komunitetit rom dhe jemi duke bërë atë”, tha Kurti.
Shefi i Qeverisë përmendi edhe ndarjen e bursave për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Para këtij komuniteti, Kurti u zotua se ndarja e granteve do të jenë transparente. Ndërsa për platformën e krijuar enkas për komunitetet, Kurti ka kërkuar mendim se në çfarë mënyre po diskriminohen ata.
“MASHTI ka ndarë edhe 500 bursa shtesë për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas për drejtime të tjera. Sivjet kemi programin për 100 praktikantë me prioritet për komunitete. Gjatë muajve të verës Zyra për Çështje të Komuniteteve do t’a shpallë thirrjen e radhës për grande për arsim dhe punësim të komuniteteve sepse ky është prioritet si për Qeverinë tona ashtu edhe për komunitetin. Zyra për Çështje të Komuniteteve ka 1.5 milion euro për ndarjen e grandeve, dhe e di që Organizatat joqeveritare dhe mediat rome kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të zyrës, aktualisht vlerësimi i këtyre thirrjeve është në proces e sipër.”
“Ne kemi bërë përpjekje që të vendosim një sistem transparent për ndarjen e fondeve për komunitete. Zyra komunale për komunitete dhe kthim Janë hallkë e domosdoshme për komunitetet. Një e arritur shumë e vlefshme është edhe platforma për digjitalen për mbrojtjen e diskriminimit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas”.
“Ne përmes kësaj platforme digjitale e luftojmë diskriminimin. Ju ftoj që t’i inkurajoni anëtaret e tjerë të komunitetit që të pasqyrojnë në atë mënyrë që ta dimë se ku po diskriminohen. Të gjitha këto dhe shumë masa të tjera janë në platformën nga Zyra për Qeverisje te Mirë”, tha Kurti.