Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan George M. Wikoff, në takimin e tyre të parë zyrtar.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti e uroi admiralin Wikoff për marrjen e detyrës së re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë dhe të vazhdueshëm. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit dhe ndërveprimit të mirë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe misionit të NATO-s në Kosovë, në funksion të garantimit të sigurisë dhe paqes për të gjithë qytetarët.
“Kosova është rrëfim suksesi i ndërhyrjes së NATO-s, i çlirimit dhe i pavarësisë, që sot është kthyer në motor të zhvillimit ekonomik, themel të shtetndërtimit demokratik dhe mundësi për mirëqenie sociale,” ka deklaruar Kurti, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për aleancën veri-atlantike.
Duke folur për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, kryeministri Kurti nënvizoi synimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim të plotë në NATO, të cilin e cilësoi si përgjigjen më të mirë për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë.
Kryeministri Kurti e njoftoi admiralin Wikoff edhe me veprimet dhe rezultatet e institucioneve të Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe me investimet e bëra në fushën e mbrojtjes.
Kurti e falënderoi admiralin Wikoff për vizitën dhe bisedën, duke vlerësuar lart kontributin e vazhdueshëm të KFOR-it, si mision i NATO-s në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.