Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka prezantuar anëtaren më të re të LVV-së, Yllza Hotin.
Kurti ka shkruar për Hotin e cila ka diplomuar në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK).
Postimi i plotë i Kurtit:
Yllza në Lëvizje
Yllza Hoti, studentja me notën mesatare më të lartë (4.0) në gjeneratën e vitit 2018 në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo), nga sot është anëtare e VETËVENDOSJE!-s. Yllza ka përfunduar studimet e saj në Menaxhment, Ekonomi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare ku tema e saj e diplomës ka qenë “Outsourcing in Kosovo: An analysis of Kosovo’s comparative advantage and the potential for growth”.
Ajo tash punon si Koordinatore për Pranim të Studentëve në po të njëjtin Universitet. Ka punuar si instruktore e tutore e matematikës, si dhe koordinatore në prokurim. Gjatë studimeve Yllza ka punuar edhe si vullnetare në tre klube të ndryshme të RIT Kosovo: ka qenë Presidente e Klubit të Bamirësisë, Sekretare e Klubit të Ekonomistëve si dhe e Klubit të Mjedisit të RIT Kosovo. Është fituese e disa bursave dhe çmimeve të ndryshme.
Me vajza punëtore e të mençura si Yllza, Lëvizja po shton shprehi të punës, lartësi të vetëdijes dhe thellësi të dijes, të gjitha këto të domosdoshme dhe esenciale për ndërtimin e qeverisë dhe zhvillimin e vendit. Ne po rritemi, do të rritemi edhe më shumë. Sepse po fitojmë. Gur i provës për këtë është rinia e ditur që po bashkohet në organizatën tonë.