Dhënia e autonomisë për serbët gjatë negociatave me Beogradin do të ishte skenari më katastrofal për Kosovën.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke shtuar se kjo është si një shtëpi me dy pronarë.
Sipas tij, ky kompromis i mundshëm, siç po paralajmërohet, në këmbim të njohjes nga Serbia është bosnjëzim i Kosovës.
“Të gjithë ata që e shohin si arritje këtë le ta shohin ku është sot Bosnja, pa asnjë perspektivë evropiane, e izoluar, e varfër, e kontrolluar nga Serbia e Rusia dhe pa rrugëdalje, edhe pse Serbia e ka njohur formalisht Bosnjën si shtet. Asisoj çlirimi dhe pavarësia zhvlerësohen. Sepse cili është kuptimi i daljes së Kosovës nga Serbia nëse kjo pasohet me hyrjen e Serbisë në Kosovë”, pyet Kurti.
Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Kurti ka kritikuar ashpër qeverinë “Haradinaj”, duke e vlerësuar si shumë të dobët dhe të korruptuar, por nuk i ka kursyer nga kritikat as partitë opozitare, siç i ka quajtur parti “pseudoopozitare”, duke aluduar në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në Partinë Socialdemokrate.