Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar të gjitha qeveritë deri tani, që nuk po kontribuojnë aspak për të ulur papunësinë.
Kurti ka thënë se kur bashkëbisedon me qytetarë të moshave të ndryshme, asnjëherë nuk i dëgjon duke kërkuar para por vetëm punë.
Tutje, ai ka thënë se Kosova përveç papunësisë, ka edhe arsim e ekonomi të dobët.
Kurti thotë se partnerë e ish partnerë të koalicioneve qeverisëse, hallin e kanë vetëm në autostrada. Tutje, Kurti thotë se me këso qeverish, më shumë kanë frikë të punësuarit që do të mund ta humbin vendin e punës sesa që kanë shpresë të papunët që do të mund të gjejnë një vend pune.
Postimi i plotë i Kurtit:
Tranzit në vendin tonë?
Në Kosovën tonë vetëm çdo i katërti qytetar i aftë për punë është i punësuar, dy prej tre të rinjëve nuk janë të punësuar dhe vetëm çdo e teta grua ka një vend pune. 3/4 e të papunëve janë të papunë afatgjatë, pra për më shumë se 12 muaj. Dhe, 1/3 e të rinjve të moshave midis 15 dhe 24 vjeç nuk janë as të punësuar, as në shkollim e as në ndonjë trajnim. Shkalla e punësimit tek këta është vetëm 8,5%. Shumica e të punësuarve në Kosovë nuk janë të punësuar në profesionet e tyre dhe mbi 20 mijë të diplomuar në universitet janë të papunë. Arsimin e kemi të dobët, ekonominë e kemi të dobët, lidhjen e arsimit me ekonominë e kemi të dobët. Kur bisedoj me qytetarë të komunave e moshave të ndryshme, asnjëri prej tyre nuk më thotë që do para, dhe, pothuajse të gjithë më thonë se duan punë. Njerëzit tanë duan të fitojnë me punë, nuk janë hajna, nuk duan të vjedhin. Ndërkohë, qeveritarë që kanë nga disa vende pune vjedhin për vete e nuk punojnë. Partnerë e ish partnerë të koalicioneve qeverisëse kanë hall vetëm se a do t’i bie autostrada e re kah tokat e tyre të blera rishtas, a do ta marrin hisen e tyre nëpër borde agjencish e ndërmarrjesh, a do ta fitojë filan tenderin fistek biznesmeni i afërt me ta…
Me këso qeverish më shumë kanë frikë të punësuarit që do të mund ta humbin vendin e punës sesa që kanë shpresë të papunët që do të mund të gjejnë një vend pune. Përqendrimi i qeverisë në autostrada është si të shesësh shtëpinë për të blerë veturë. Pra, s’ka më shtetndërtim e zhvillim, sepse s’ka punësim e siguri, arsim e shëndetësi, por ka veçse mundësi qarkullimi e udhëtimi, thua se jemi tranzit në vendin tonë! Sipas të dhënave nga tetori i vitit 2016 i Raportit të FMN World Economic Outlook, 85% e ushqimit në botë është prodhim vendës, prandaj ushqimi përbën vetëm 8% të tregtisë globale. 30% e punëtorëve në botë punojnë në agrikulturë. Toka e punuar nga ajo e punueshme në Azi është 98%, kurse në Evropë është 90%. Mesatarja botërore është 80%. Në Kosovë, mezi 50%. Kosova i ka 74.000 hektarë për ujitje mirëpo vetëm 12.000 hektarë ujiten. Kjo është arsyeja pse në Kosovë mbillen aq shumë gruri e misri të cilave nuk u nevojitet ujitja përveç shirave. Për pasojë, raportin eksport/import me Serbinë e kemi 1/13 ndërsa edhe me Bosnje dhe Hercegovinën e kemi 1/10!
Tejet të shtrenjta janë këto qeveri të njëjta, për të tashmen e për të ardhmen tonë. Sigurisht që nuk ua kishim borxh. Sigurisht që nuk ia vlen barra qiranë.