Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri, ku u gjet një laborator i kultivimit të marihuanës me 10 mijë fije të bimës.
Kurti reagimin e ka bërë në llogarinë zyrtare të tij në ‘Twitter’, duke thënë se krimi po luftohet pa ndërprerë.
“Krimi do të luftohet pa ndërprerje. Në Izvor, qytet në veri të Kosovës, policia jonë gjeti laborator të rritjes së marihuanës me mbi 10,000 bimë ilegale. Pati të shtëna në drejtim të policisë dhe doganës, por ata janë të vendosur të vazhdojnë punën e tyre. Faleminderit për shërbimin tuaj”, ka shkruar Kurti.
Lidhur me rastin më herët ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, teksa ka thënë se nga sulmi me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë nuk është lënduar askush.
“Përgjatë këtij aksioni zyrtarët e policisë dhe doganave janë gjuajtur me armë zjarri por aksioni po vazhdon me sukses pa asnjë lëndim apo dëm material”, ka deklaruar ai në ‘Facebook’.
Crime will be fought w/out interruption. In Izvor, a town in the north of Kosova, our police found a marijuana grow lab w/ over 10,000 illegal plants. Shots were fired upon police & customs officers, but they’re determined to continue their work. Thank you for your service. pic.twitter.com/6bHnrLew4K
— Albin Kurti (@albinkurti) May 23, 2022