Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria aktuale reagon me ndonjë gjest patriotik sa herë që ngritët vala e popullit, raporton Ekonomia Online.
Duke komentuar shkarkimin e ministrit serb gjatë të mërkurës, Kurti tha se ka ardhur si rezultat i reagimit qytetar.
“E patë se si dje u shkarkua ministri i Listës Serbe që ai e kishte dhënë një deklaratë më 24 mars, por shkarkimi i tij ndodhi dje. Sa herë ngritët vala e popullit këta e bëjnë ndonjë gjest patriotik, Kosova sot ka dy armiq, Serbinë prej jashtë dhe korrupsionin prej brenda, kriminelët e luftës dhe ata të paqes”, tha Kurti.
Këto komente, kreu i vetëvendosjes i bëri në një tubim me qytetarët e Prishtinës me moton “Kundër PANhajnisë!”.
Kurti tha se LVV ka vizion dhe beson se viti 2019 do të jetë vit i fitores. Sipas tij, Haradinaj nuk u morrë me punët e shtëpisë sic ka thënë në zgjedhje, por ia punoi shtëpisë.
“Më pak pabarazi, më shumë drejtësi, ky duhet të jetë drejtimi ynë në këtë shteg, lëvizja Vetëvendosje sot si opozitë e drejtë, nesër si qeverisje e mirë, kryeministri aktual thoshte se do merret me punët e shtëpisë ai ia punoi shtëpisë duke zgjedhur pushtetin me kaq shumë zyrtarë është gurë i rënd në qafën e shtetit dhe popullit”, shtoi Kurti, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se VV do jetë e fokusuar që gjyqësori e prokuroria të jenë të pakapura dhe pushtetarët e tanishëm të dërgohen në burg.
“Qeverisja e re do ta çliroj edhe prokurorinë e gjyqësorin për të vepruar për drejtësi, nuk do i mbrojmë të korruptuarit, ata do i mbrojnë avokatët, nuk do ketë ulse pushteti për ta por vetëm hekra burgu”, shtoi ai.
Deputeti, Glauk Konjufca, në këtë tubim ka akuzuar edhe PSD-në, e cila sipas tij, i është bashkuar qeverisjes aktuale me korrupsion.
“Prishtina sot nuk po më duket kryeqytet sepse kryt i ka dezertu dhe kur po shikoj nga llogon PAN e pash se po i mungon diçka P duhet me qenë në katror sepse njëra është një pushtet dhe tjetra kinse në pushtet”, tha Konjufca.
Ai tha se në ditët e sotme hajnia është me të madhe ku edhe për tender aplikohet me para që duhet jap për mundësi të fitimit të atij tenderi.
“Në qeveritë e kaluara hajnitë kryheshin me zarfe, ndërsa hajna e ka marr kamionin edhe po vjedhjet me shleper, buxheti po trajtohet si plaqk e luftës kur pushtetarët po hypin në maje gjëja e parë është ndarja e tallit, tenderët u shkojnë firmave që detyrohen me kry shpërblimin me % dhe ato janë standardizuar, për të aplikuar me tender sot në Kosovë shkohet me dy zarfe njëra me aplikacion dhe tjetra me duqin e parave”, tha ai.
Konjufca tha se shoqëria kosovare më shumë se kurrë ka nevojë të shkëputet prej regjimit korruptiv.
Deputetja e kësaj partie, Fitore Pacolli, tha se liberalizimi i vizave i mungon Kosovës sepse asnjëherë vendi nuk e ka luftuar korrupsionin në krye me pushtetarët e saj.
“Arsyeja se pse nuk kemi liberalizim të vizave ende është sepse në këtë shtet asnjëherë nuk është luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, dëshmia me e mirë do ishte sikur presidenti, kryeministri, ministra, e zyrtarë të lartë sot të mbylleshin prapa grilave, kjo do ishte dëshmia më e mirë për Bashkimin Evropian se Kosova po lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin”, tha Pacolli.
Ndërsa, kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia, tha se ky tubim nuk është elektoral por për të ndalur të keqen e vendit.
Ai tha se edhe pas 20 viteve qytetarët janë të zhgënjyer edhe pse kanë atdhedashuri janë të detyruar të largohen nga vendi për shkak të korrupsionit e hajnisë.
“Ky nuk është tubim elektoral, ne kërkojmë zgjedhje të reja, por nuk kemi ardh me kërkuar vota por me ndal një të keqe të madhe. U bën 20 vite që UÇK-ja dhe miqtë tanë hyn në qytetin e Prishtinës, entuziazmi i tyre bëri që qindra e mijëra qytetarë të ktheheshin në vendin e tyre, kthimi ishte unik sepse disa prej tyre erdhën edhe në këmbë në shtëpitë e tyre të djegura, por me një optimizëm me shpresën e madhe për Kosovën, kjo tregon akoma dashurinë për vendin”, tha Vitia.
Sipas tij, pushtetarët po i japin atë që dëshiron Serbia për Kosovën, ikjen e të rinjve nga vendi i tyre.
“Populli është i njëjti edhe dashuria për atdheun, prandaj mos mendoni se ata që largohen nuk e duan atdheun, fajin e ka ky pushtet dhe qeveritë e pasluftës që duke u tallur me vlerat e popullit dhe të luftës po ua bën shërbimin më të mirë Serbisë që qytetarët kosovarë nuk kanë shpresë”, shtoi Vitia.