Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur, nëpërmes një postimi në Facebook, se është njoftuar nga autoritetet përkatëse se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve të Kosovës.
“Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllaut të tij. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Pacolli dhe Visoka të cilët humbën familjarët e tyre”, ka shkruar Kurti.
“Ngjarje të tilla si kjo prekin thellë secilin prej nesh”.
Ai ka falënderuar përzemërsisht ekipet profesionale të FSK-së, Policisë së Kosovës, vullnetarët e kërkim-shpëtimit dhe autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në bashkëpunim të ngushtë, që nga momenti kritik, kanë bërë maksimumin e tyre përkundër të gjitha sfidave me të cilat janë ballafaquar.