Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh të arritura ndër vite në Bruksel. Këtë shtet, Kurti e konsideron si burim të kërcënimit të paqes dhe sigurisë në rajon, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit, ka thënë se Serbia është hakmarrë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Rezultati i cili u morr të martën në Asamblenë Parlamentare në KIE ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën për dy arsye kryesore: e para e mbylli etapën me të rëndësishme për interesim, e dyta ne arritëm 82 për qind të votave. Për këtë edhe një herë nga kjo sall dua ta falënderoj ministren Donika Gërvalla. Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë përfitues do të jenë qytetarët. Dje Serbia u hakmor, ndaloi në kufi qytetarë tanë që Serbinë e shfrytëzonin si transit. Në mesin e ndaluarve dhe të arrestuarave ishe edhe zëvendësdrejtori serb në Kosovë. Dejetori Jakoviq është dërguar në Rashkë”, ka thënë Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar.
“Dje në ndalim kanë qenë gjithsej 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovë, përfshirë serb edhe shqiptar, 5 janë liruar dhe 5 janë në mbajtje. Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes për anëtarësimin e Kosovës. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh. Serbia është burimi i kërcënimit të paqes e sigurisë në rajon. Ajo ka rreshtim me federatën ruse të cilën nuk e ka sanksionuar. Ndalimi u bë dje në përkujtimin e masakrave në Poklek e Qikatovë”, u shpreh Kurti.
Fjalimi i plotë i Kurtit:
Rezultati i votimit të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës për dy arsye kryesore. E para, e përmbylli etapën më komplekse të procesit të anëtarësimit. Dhe e dyta, edhe pse kishim nevojë për 2/3 e votave në favor, pra afër 67%, ne i arritëm 82% të votave në favor. Kjo është një shenjë e qartë e vitalitetit dhe angazhimit të suksesshëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës. Për këtë edhe një herë, nga kjo sallë, dua ta falënderoj zëvendëskryeministren dhe ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla. Faleminderit Donika!
Suksesi i arritur në këto dy vitet e fundit në këtë proces, bënë që argumentet në favor të anëtarësimit të Republikës së Kosovës mos të jenë vetëm tonat më. Në shtator të vitit 2022, Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës konfirmoi që nuk ka asnjë pengesë ligjore që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës; ndërkaq në maj të vitit 2023, Juristët Eminent konfirmuan që Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës, madje në disa çështje (siç janë të drejtat kushtetuese për minoritetet) i tejkalon standardet ndërkombëtare; e më 27 mars raportuesja Bakoyannis konfirmoi që Kosova ka plotësuar të gjitha parakushtet; dhe pardje, më 16 prill, Asambleja Parlamentare rekomandoi anëtarësimin e Kosovës si shtet evropian, pa parakushte shtesë dhe duke hequr asteriskun nga denominimi. Pra, denominimi me asterisk nuk ishte aty dhe sot me 18 prill konstatojmë që kjo e arritur e përbashkët e shtetit edhe e qytetarëve na gëzon të gjithëve për punën dhe kontributin e deritanishëm, por njëkohësisht edhe për mundësitë e reja që i kemi përpara.
Këto fakte dhe mbështetja e fuqishme e para dy ditëve, me 16 prill, ku në favorin e anëtarësimit ishin 131 deputetë, janë thirrje të qarta për Komitetin e Ministrave që ta trajtojë aplikimin tonë në muajin maj dhe që Kosova ta pranojë ftesën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës po atë muaj.
Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, përfitues do të jenë qytetarët e vendit. Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj në të drejta dhe mbrojtjen e tyre do të jenë pikërisht komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë.
E dje, pas kalimit të suksesshëm të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia u hakmor. Ndaloi në kufi për mbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë, të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim por si tranzit për t’u kthyer apo për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian.
Në mesin e të ndaluarve dhe të arrestuarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Sipas informacioneve që kemi, zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë. Dje në ndalim gjithsej kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (serbë dhe shqiptarë) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Pesë nga ta janë liruar ndërkaq pesë ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin Jankoviq, por aty janë edhe Sinisha Miliq, Zoran Marinkoviq, Boban Simeunoviq dhe Ramiz Ibrahimi*.
Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes ndaj suksesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshjen Bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh e për fqinjësi të mirë.
Ndalimi dhe mbajtja arbitrare, e pabazë dhe keqtrajtimi i qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, vetëm e vetëm sepse përdorin Serbinë, si vend tranzit, na risolli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit. Duke na rikujtuar kështu që ajo ngelet e njëjta, ngase udhëhiqet nga një ish vartës i tij. Për më tepër, veprimi i hakmarrës i Serbisë është menduar edhe si akt me qëllim eskalimi të tensioneve. Kjo sepse Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia në rajon e sidomos në Kosovë. Pas rënies së lirë në autokraci në dhjetë vitet e fundit, regjimi në Serbi, në bashkëpunim me Federatën Ruse, është në kërkim të vazhdueshëm të tensioneve dhe konflikteve, herë në Kosovë, herë në Bosnje e Hercegovinë, herë në Mal të Zi e shpeshherë në të dyja apo në të tria njëkohësisht.
Serbia është burim i kërcënimit të paqes, sigurisë, stabilitetit të rajonit. Ajo jo vetëm që nuk ka demokraci për brenda, nuk respekton liritë civile e politike, sundim të ligjit e liri të mediave, por edhe ka rreshtim me Federatën Ruse të cilën nuk e ka sanksionuar duke ju bashkuar kësisoj Bjellorusisë.
Millosheviqin dhe Putinin të cilët i ka përbrendësuar Presidenti i Serbisë, e që duket se me sukses po i fsheh nga liderët demokratë, po i dalin në pah sapo kthehet ai në Serbi. Sepse europianizimi nuk ndodhë me ninulla ruse.
Ndalimet dje u bënë në ditën e përkujtimit të masakrave të tmerrshme në vendin tonë, në fshatrat Paklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenicës, ku ushtria serbe ka masakruar 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Pasi i kishin vrarë, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve, në Paklek ua kishin vënë zjarrin trupave të pajetë, e në Çikatovë i kishin marrë e dërguar në varrezën masive në Rudnicë.
Pas rënies së regjimit të Millosheviqit, në Serbi u patën zbuluar pesë varreza masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë 744 dhe mbi 200 të tjerë në Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak. Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varreza masive teksa i mohon ato sikurse edhe krimet e kryera. E ne i kërkojmë 1597 të zhdukur nga lufta e fundit.
Duke u mbështetur në marrëveshjen e arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel në takimin e nivelit të lartë, e përsërisim kërkesën për hapje të arkivave të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse kryesore për shumë masakra në rajonin e Drenicës dhe për fatin e shumë personave të zhdukur në këtë rajon.
Na duhet e vërteta e plotë, na duhet përgjegjësia komanduese dhe ekzekutuese, na duhet drejtësia institucionale gjyqësore.
Bëjmë thirrje edhe një herë që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë me ngulm, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Drejtësia vendore duhet pa vonesë të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të akuzohen, të gjykohen e të dënohen.
Të nderuar kolegë, të dashur qytetarë,
Ajo që ndodhi të premten dhe të martën, këto krime kundër grave, tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta e jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për vendosje të drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta, janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto, të mbuluara me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë nga sistemi i drejtësisë, nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien aty ku është e domosdoshme, e për të kërkuar drejtësinë, me çdo kusht aty ku ajo mungon.
Në linjë me synimet e përbashkëta me Këshillin e Evropës për rritje të transparencës dhe qasje për publikun në vendimet e gjyqësorit, puna dhe çdo veprim procedural i çdo gjyqtari e prokurori duhet të jetë transparent.
Ligjërisht e moralisht, askujt nuk mund t’i mohohet e drejta në gjykim të drejtë, e as e drejta në mbrojtje të barabartë me ligj. Që të kemi dënime meritore për burrat vrasës, e drejtësi për gratë viktima.
Vullneti ynë politik është i palëkundur. Jemi të vendosur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e grave dhe vajzave në Kosovë. Asnjë përpjekje nuk është shumë e madhe në këtë betejë thelbësore për dinjitetin dhe për barazinë.
Për veprimet e planifikuara dhe ato të domosdoshme në kuadër të përgjigjes ndërinstitucionale, do të ia kaloj fjalën Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, njëherit Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, e më pastaj për të njëjtën temë do të ia jap fjalën edhe zëvendëskryeministres e cila vjen nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, dhe pas këtyre dy fjalëve vazhdojmë me pikat e rendit të ditës.