Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar të flasë për bastisjet e Policisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe pronat e Ridvan Muharremit, raporton Ekonomia Online.
Kurti i pyetur për aksion dhe arrestimet që kanë ndodhur, tha se për këtë çështje do të deklarohet gjatë ditës.
“Unë ju ftoj të gjithëve që nga sot me datë 18 gushtë të apliko i për këtë masë e efiçiencës së energjisë. 45 ditë do të jetë thirrja e hapur e tash ne e kemi një koktej modest aty për këtë masën e tret të energjisë”.
“Për çështje tjera jashtë efiçiencës që nuk po ju intereson deklarohemi gjatë ditës sot”, tha ai.
Ai ka marrë pjesë në ceremoninë e lansimit të “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.
Policia e Kosovës ka zhvilluar tri aksione në lokacione të ndryshme të Prishtinës, të cilat rezultuan me arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe arrestimit të Ridvan Muharremit i cili është pronar i restorantit “Bukë e Zemër”.