Kancelari austriak Sebastian Kurz, do të organizojë sot Samitin për Ballkanin Perëndimor ku do të marrin pjesë kryeministrat e gjashtë vendeve të BP. Pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Samitin që do të mbahet sot në kryeqytetin austriak e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.
Në Vjenë të Austrisë është organizuar Samiti për Ballkanin Perëndimor ku do të diskutohet mbi rrugën drejt integrimit të gjashtë shteteve në Bashkimin Evropian.
Në këtë Samit do të marr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, kryeministri i Maqedonisë, i Malit të Zi.
Në anën tjetër, Kurz ka njoftuar edhe përmes Twitterit për Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot.
Ai ka shkruar se BE-ja s’është e kompletuar derisa Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e tij.
“BE-ja s’është e kompletuar derisa i gjithë Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e tij. Ju mund të llogaritni në mbështetjen tonë të plotë për reformat e kërkuara për këtë gjë dhe në luftën kundër pandemisë. Këtë do ta theksojmë edhe në samitin e sotëm të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kurz.