Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpërndarë në rrjetin social Facebook vendimin për shtesën e ndarë për fëmijët prej 100 eurove, raporton Ekonomia Online.
“Javën po e nisim me një lajm tjetër të mirë për fëmijët tanë. Pas shtesës prej 100 euro për fundvit për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç, sot e nisëm pilotimin e Programit të Kuponëve për çerdhe për fëmijët e familjeve me asistencë sociale. Me këtë program synojmë përfshirjen më të madhe të fëmijëve të moshës 3-5 vjeç në edukimin e hershëm. Familjeve përfituese që janë me asistencë sociale do t’ia mbulojmë pagesën për çerdhe dhe transportin për gjashtë muaj”, tha Kurti.
Programin e Kuponëve për çerdhe, ai tha se po e nisim me 100 fëmijë nga familjet e asistencës sociale.
“Aplikimi do të bëhet përmes platformës e-Kosova. Në këtë fazë të pilotimit, thirrja do të jetë e hapur për katër komuna. Edukimi në fëmijëri të hershme është njëra nga pesë fushat prioritare në Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2022-2026. Hulumtimet shkencore kanë treguar se edukimi i hershëm rezulton me individë të suksesshëm, sepse ndihmon në krijimin e një baze të fortë për sukses akademik dhe për mësim e avancim tërë jetësor”, tha Kurti.
Ky program, sipas tij është pjesë e Projektit në vlerë prej 18 milionë euro të Bankës Botërore që quhet “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.
“Kërkesën zyrtare pranë Bankës Botërore për këtë projekt e kemi bërë që në dhjetorin e vitit 2022. Nga atëherë ka filluar dizajnimi i tij, ndërkaq marrëveshja e finalizuar është nënshkruar më 28 qershor 2024”, shkruan Kurti.