Kurti: Shpresoj që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë ekskluzive për DW, ka folur për takimin e 14 shtatorit me Vuçiqin, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe izolimin, situatën në veri dhe kërkesa e tij për BE-në.

Kryeministër Kurti, me 14 shtator do të takoheni në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuciq, dhe është momenti kyç për Kosovën, për faktin që ju tashme jeni izoluar nga bashkësia ndërkombëtare. Dje ambasadori gjerman në Prishtinë tha se ka një fund për blame games, ku lojërat duhet të marrin fund dhe kërkohet zgjidhje konkrete, çfarë ofroni ju?

Kurti: Javën që shkoi janë bërë një vit prej se emisari i posaqem i Gjermanisë Jens Plotner dhe ai i Francës Emanuel Bonn, bashkë me emisarin evropian Lajcak prezantuan iniciativën franko-gjermane që mandej u bë propozim i BE-së, për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen de facto në qendër. Një vit nuk është pak dhe gjatë këtij viti ne kemi qenë konstruktivë dhe kreativë. Javën e ardhshme bëhen gjashtë muaj prej se zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se ‘We have a deal’, pra kemi marrëveshje, sepse u pranua edhe aneksi i zbatimit. Andaj edhe gjashtë muaj nuk janë pak, dhe ja ku jemi sot, në prag të takimit të 14 shtatorit dhe nuk kemi zbatim të marrëveshjes.

DW: Por duket që problemi në këtë mes dhe personi konfliktuoz jeni ju, sepse në perëndim interpretohet me shumë që ju jeni bllokues i themelimit të Asociacionit të komunave serbe, që nuk ofroni rrugëdalje nga kriza në veri. Atëherë çfarë ofroni ju në këtë mes?

Kurti: Nuk do të thosha që perëndimi është homogjen ndaj qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe atje ka zëra shumë të ndryshëm lidhur me atë se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëhet, por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që ne kemi qenë të gatshëm ta nënshkruajmë marrëveshjen me 27 shkurt në Bruksel, ndërsa me 18 mars gjithashtu edhe në Ohër dhe është pala serbe ajo që e ka refuzuar nënshkrimin.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, ne kemi thënë që angazhohemi për deeskalim dhe më duhet të konstatoj që deeskalimi praktikisht ka ndodhur. Në duhet të mos kemi rieskalim, veçse rieskalimi potencial i ka rrënjët veçse në Beograd dhe kurrsesi në Prishtinë. Besoj që i është bërë e padrejtë Kosovës. Ne e kemi pranuar marrëveshje me 11 nene dhe gjashtë pika të preambulës, marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 konsiderohet në mesin e 39 marrëveshjeve, në nenin 10 të marrëveshjes bazike që ne e kemi bërë. Pra, neni 10 thotë se marrëveshjet e kaluara 39 sosh që janë të vlefshme dhe të obligueshme duhet të zbatohen, por aty janë 39 dhe jo vetëm dy.

DW: Por në fund të fundit politika është arti i kompromisit dhe edhe në këto dy pika duhet gjetur kompromisi. Atëherë, a do të këtë një kompromis për këto dy çështje të hapura në Bruksel?

Kurti: Artin e kompromisit tek ne e ka bërë Marti Ahtisari që praktikisht me propozimin e tij është vënë themeli i Kushtetutës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Serbinë e cila e ka Kushtetutën e Koshtunicës nga periudha kur ai ishte President. Të kërkosh nga Kosova që ta kompensojë Serbinë për humbjen e territorit në kohën e regjimit gjenocidal dhe fashist të Sllobodan Millosheviqit, është padrejtësi e madhe. Unë jam kryeministër i të gjithë serbëve në Kosovë, sikurse i shqiptarëve, romëve, ashkalinjëve egjiptasve, turqve, boshnjakëve dhe goranëve. 93 % janë shqiptar ndërsa, serb janë 4%. Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe Presidentit Vuciq, edhe ndërmjetësve evropian që unë nuk pranojë kërkesa jo territoriale, kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë.

DW: Por unë nuk besoj që për çështjet territoriale do të bisedohet në Bruksel, por duhet një kompromis në ato pikat e hapura, veçanërisht për Asociacionin e serbëve dhe shtensionimin e situatës. Cilat janë konkretisht pikat ku do të lëvizni juve për të arritur kompromisin e duhur?

Kurti: Marrëveshja bazike e cila e ka njohjen de facto midis Kosovës dhe Serbisë ne qendër është një marrëveshje e cila duhet të zbatohet menjëherë pra pa vonesa plotësisht dhe pa kushte, nuk e ka në qendër Asociacionin, e ka njohjen de facto ne qendër, kështu edhe është prezantuar me nëntë shtator të vitit të kaluar në këtë zyrën time dhe kështu duhet edhe ta zbatojmë. Unë nuk e mohoj që paraardhësit e mi kanë bërë marrëveshje, por ato marrëveshja ose nuk janë zbatuar nga Beogradi, ose nuk e kanë kaluar testin e gjykatës Kushtetues. Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draft-statutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State-Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë.

DW: Por gjithsesi sanksionet janë implementuar ndaj juve, ndaj Kosovës dhe është edhe Gjermania që ka qenë gjithmonë shumë pranë Kosovës që vendosi sanksione shtesë, atëherë duhet diçka për ta rifituar besimin dhe përkrahjen e Gjermanisë, çfarë ofroni ju?

Kurti: Me Gjermaninë ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale. Nga viti 2022 krahasuar me vitin 2021 kemi rritje te eksporteve për Gjermani për 42% dhe rritje të investimeve gjermane për 60%. Këto janë sanksione të cilat po na dëmtojnë neve, po na dëmtojnë sa i përket marrëveshjes se Stabilizim Asocimit, po na dëmtojnë sa i përket kredive dhe granteve dhe po na dëmtojnë sa i përket takimeve të nivelit të lartë. Merreni me mend, ministrit tim Nenad Rashiq i është anuluar takimi në Bruksel. Ai është serb nga Kosova, ministër në qeverinë time për fushveprimtarinë e komuniteteve dhe kthimit. Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat.

Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim.

DW: Edhe njëherë çfarë ofroni për të hequr masat, sepse duhet një hap konkret nga ana e juaj?

Kurti: Unë kam bërë tre hapa konkretë. Së pari e kam zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri për 25%, pastaj kam zvogëluar edhe për 25% të tjera, pra gradualisht dhe proporcionalisht me largimin e ekstremistëve të dhunshëm ose me arrestimin e tyre, dhe gjithashtu kam bërë edhe hapin e rëndësishëm të udhëzimit administrativ i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, ashtu që atje të kemi kryetar të rinj brenda pak muajve duke e zbatuar kështu nenin 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale që thotë se së pari qytetarët me 25% të trupit elektoral mund të bëjnë një peticion i cili qon në votim që më pastaj e përfundon mandati e këtyre 4 kryetarëve të komunave. Unë e di që legjitimiteti i tyre është i vakët sepse ka pasur dalje të ulët në zgjedhje, mirëpo, të tjerët nuk kanë legjitimitet fare.

DW: Por kjo duket nga jashtë si një zgjidhje që kërkon kohë. A nuk mendon që do të ishte më e lehtë dorëheqja e kryetarëve shqiptarë?

Kurti: Katër muaj i kemi shtyrë zgjedhjet në veri, pesë ditë e kemi shtyrë afatin për regjistrimin e partive politike që të marr pjesë lista serbe në zgjedhje. I braktisën institucionet, i bojkotuan zgjedhjet me qëllim të keq, bën gabim, nuk do të duhej ne të paguajmë. Ata që gabojnë paguajnë, jo ata të cilët e kanë sundimin e ligjit, demokracinë vlerë fundamentale. Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile, organizimit të zgjedhjeve, mbledhjes së taksave sipas FMN-së, dhe sa i përket lirisë së medieve është kampione në Ballkan. Pse, do të duhej ne të ndëshkoheshim për dashakeqësinë e listës Srpska e cila mbase edhe është penduar.

DW: A nuk jemi prapë tek blame-game, por, unë do të thoja çfarë u ofoni serbëve që ta fitojnë besimin tuaj?

Kurti: Së pari serbët në Kosovë që janë 4% e popullsisë, i kanë 10 vende të rezervuara në kuvendin e Kosovës të cilat nuk po i shfrytëzojnë, 17 % të këshilltarëve komunal nga 38 komuna janë serbë, 10 nga 38 komuna janë me shumicë serbe, gjuha serbe është zyrtare gjithandej në Kosovë. Pra ne kemi trajtim për pakicën serbe çfarë nuk ka askund në Evropë. Shihni çfarë ndodh me pakicën shqiptare në Serbi. Në Spitalin e Vranjes që mbulon edhe Preshevën, e Bujanovcin nga 70 punonjës asnjë nuk është shqiptar, as nuk ka Universitet në Bujanovc dhe ua pasivizojnë adresat që është një lloj spastrimi etnik burokratik edhe i heshtur. Por ne nuk matemi me Serbinë, por ne matemi me standardet evropiane prandaj edhe duam të hyjmë në Këshillin e Evropës. Serbët e Kosovës do të kishin interes që të bëheshin anëtare të Këshillit të Evropës në mënyrë që ta shfrytëzojnë Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, por, ja që Serbia votoi kundër. Pra, interesi i serbëve në Kosovë dhe interesi i Serbisë nuk përputhen.

DW: Për fat të keq integrimi i serbëve nuk është arritur deri më sot, dhe flitet që nëse nuk zgjidhet situata në veri, zgjidhja më e mirë do të ishte një protektorat ndërkombëtar për veriun, si e shihni ju këtë?

Kurti: Nacionalizmi i masave si lëndë djegëse për makinerinë e luftës së diktatorëve që ka ekzistuar para 30 vjetëve në Ballkan, nuk është më këtu në mesin tonë. Dhunën nuk janë duke e bërë qytetarët, dhunë janë duke e bërë struktura të caktuara të cilët imitojnë grupin Wagner. Dy organizata i kemi deklaruar terroriste, të ashtuquajturën Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut që kërcënojnë ministrat e mi dhe mua çdo javë, pra problemin e kemi me struktura të caktuara e jo me qytetarët. Serbët sot kanë nevojë që të mbrohen nga Serbia. Vetëm sivjet rreth 15 vetura të serbëve janë djegur për shkak se i kanë shndërruar targat në ato të Republikës së Kosovës. Nga kush ti mbrojmë ata, ata duhet të mbrohen nga Beogradi. Kosova është shtet demokratik, ndërsa Serbia është shtet autokratik, Kosova është me BE-ne dhe NATO-on ndërsa Serbia është me Rusinë.

DW: Atëherë kërkoni më shumë mbështetje nga KFOR-i dhe strukturat evropiane për të luftuar kriminalitetin dhe agresionin dhe krimet të tilla?

Kurti: Kriminalitetin është duke e luftuar suksesshëm policia e Kosovës, 16 rrugë ilegale i kemi mbyllur në veri dhe një dyzinë laboratorësh të drogës dhe ato për kriptovalutave i kemi mbyllur. Janë arrestuar gjithsej në Kosovë mbi 3200 njerëz, prej tyre rreth 10% janë zyrtarë të institucioneve për korrupsion dhe për krim. Kurrë nuk është luftuar në Republikën e Kosovës krimi e korrupsioni më shumë sesa tani. Unë u ofroj të gjithë qytetarëve pa dallim ligjin, rendin, drejtësinë, e tani faktorët ndërkombëtar duhet të na ndihmojnë, sepse Serbia është me Rusinë. Nga shtatori i vitit 2021, po bëhen pra dy vjet që ne arkitekturën e sigurisë kemi filluar ta rimendojmë. Kur Aleksandër Herqenko, ambasadori rus në Beograd erdhi në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sipër tij ndodhej një aeroplan luftarak Mig-29, ndërkaq, poshtë inspektonin trupat e armatosura të Serbisë, kjo tregon që këtu s’ke të bësh vetëm me Serbinë. Sa për këto ekstremizmat e dhunshëm, milicinë fashiste të tyre, ata i tremben shumë policisë së Kosovës, prandaj edhe kërkojnë që policia e Kosovës të largohet nga veriu, mirëpo veriu është pjesë e Kosovës e pandashme, thelbi i integritetit tonë territorial.

DW: Ju patët një takim edhe me deputetin gjerman Michael Roth, njëri nga nënshkruesit e letrës që kërkon nga BE-ja ta ndryshojë qasjen ndaj Serbisë rreth dialogut me Kosovën. Atëherë çfarë kërkoni ju nga bashkësia ndërkombëtare në lidhje me politikën ndaj Serbisë?

Kurti: BE-ja do të duhej që mos t’i tolerojë ata që nuk i kanë vendosur sanksione federatës ruse dhe në të njëjtën kohë do të duhej të kërkojë nga Serbia që ta njoh Kosovën, të mos e destabilizojë Bosnjën ëdhe t’i heq duart nga Mali i Zi. Beogradi në mënyrë rrotative ka politikë destablizuese në këto tri shtete, sepse është i pakënaqur me shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë që e ka shkaktuar vet. Jugosllavia edhe u krijua në fillim të shekullit 20 edhe u shkatërrua ë fund të shekullit XX për të njëjtin qëllim për Serbinë e madhe, tash janë të pakënaqur dhe kjo pakënaqësi e tyre nuk mund të paguhet nga boshnjakët, malazezët dhe shqiptarët apo kosovaret. Pra është e domosdoshme që BE-ja të ketë plan që sa më shpejtë ta integrojë Ballkanin perëndimorë në familjen e madhe evropiane për ata që duan të integrohen. Në Serbi 1/3 duan të integrohen, të tjerët jo, prandaj ata të cilët pranojnë, përqafojnë vlerat evropiane do të duhej të shpërblehen e jo të ndëshkohen. Këto masa ndaj neve do të duhej të hiqeshin një orë e më parë, ndërkaq, ndaj Serbisë do të duhej të vendoseshin sanksione prej tërheqjes së investimeve të vendeve anëtare të BE-së e deri te kthimi i regjimit të vizave, sepse, si e dini ata po ju japin shumë pasaporta rusëve të cilët po shkojnë në Serbi.

DW: Çfarë do të presim të enjten pas takimit me Vuciqin në Bruksel? Cili do të jetë lajmi?

Kurti: Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referet Borrel dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime.

Të ngjashme