Kreu i VV-së, Albin Kurti, në një postim në Facebook ka rikujtuar 2 Korrikun e vitit 1990, ditën kur është shpallur Deklarata Kushtetuese. Por, ai ka thënë se shpreson që kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk do të organizojnë asgjë për të shënuar këtë datë pas skandalit në Prizren, ku u shënua 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit.
Në shënimin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ishte shënuar një incident. Një pasardhëse e gjeneral Mehmet Derallës, kishte dalë në foltore pa ftesë, gjatë akademisë solemne të shënimit të Lidhjes së Prizrenit. Aty ishte ngritur kryeparlamentari Veseli për t’ia lëshuar mikrofonin, ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj kishte reaguar duke ia ndërprerë fjalimin.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e Kurtit.
Sot shënojmë 28 vjetorin e Republikës së Parë të Kosovës, që u shpall më 2 korrik të vitit 1990 përmes Deklaratës Kushtetuese e cila u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke.
Delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, sepse nuk lejoheshin të hynin aty, në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë. Me shpalljen e Deklaratës Kushtetuese ata i dhanë formë e përmbajtje për herë të parë Republikës së Kosovës, si një republikë-për-rezistencë. Në deklaratë përmenden konceptet më të rëndësishme, “vetëvendosja politike” dhe “demokracia autentike”, si baza të shtetformimit modern, republikan e demokratik edhe pse nën okupim.
Paradoksalisht, në liri e me pavarësi të shpallur, në Republikën e Dytë që tani i mbushi një dekadë, u shfaq arbitrariteti dhe mohimi i demokracisë e i vetëvendosjes. Kjo na obligon të çojmë përpara projektin tonë për Republikën e Tretë, ku liria më në fund do të bashkohet me demokracinë, vetëvendosjen, zhvillimin e drejtësinë.
Shpresoj që Kryeministri dhe Kryeparlamentari nuk do të bëjnë ndonjë organizim a ceremoni sot. Pas ceremonisë së dështuar për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit vetëm sa do të shkaktojnë njëherë ankth e pastaj zhgënjim te qytetarët.