Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sigurimet shëndetësore janë zotim i qeverisë së tij dhe se ky premti do të futet në rend ditë për miratim në mbledhjet e ardhshme të afërta të ekzekutivit, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo, ai ka thënë se qytetarët do të kenë kosto shtesë e nuk duhet t’i shohin ato si “një shkop magjik që do t’na parandalojë sëmundjet”.
“Padyshim që sigurimet shëndetësore janë shumë të rëndësishme dhe ato janë edhe zotim i yni. Ligjin për Sigurime Shëndetësore jemi duke e përgatitur dhe nëse jo në mbledhjen e ardhshme, e cila mbahet nesër, atëherë në mbledhjen tjetër të radhës së Qeverisë do të jetë për miratim dhe më pastaj do t’i ndjekë procedurat për Kuvendin e Kosovës. Duhet ta kemi edhe një gjë parasysh se kur të bëhen sigurimet shëndetësore tek qytetari do të ketë një kosto shtesë sepse sigurimet shëndetësore nënkuptojnë që të paguajmë paraprakisht për atë që eventualisht mund të na ndodhë më vonë”, u shpreh Kurti.
Megjithatë, Kurti pati disa porosi për qytetarët se çfarë nënkuptojnë sigurimet shëndetësore.
“Nuk është që sot qytetarët paguajnë tepër shumë dhe rrjedhimisht sigurimet shëndetësore janë ato që do të na bëjnë të paguajmë më pak. Në fakt, fillimisht, sidomos do të jetë e kundërta. Do të na duhet që të paguajmë njëherë në mënyrë që të mos paguajmë më vonë. Nuk duhet parë sigurimet shëndetësore si një lloj shkopi magjik, i cili do të na i parandalojë sëmundjet ose do të na i eliminojë ato nëse i kemi. Mos të harrojmë që buxheti për shëndetësi krahasuar me vitin e para parapandemik 2019 tash që po flasim në 2024 është 50% më i lartë. Dhe kjo natyrisht nuk është një shumë e cila i dedikohet mjekëve dhe infermierëve sa i dedikohet pacientëve”.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se fillimisht duhet të sigurohen investimet e më pastaj të fillohet me implementimin e sigurimeve shëndetësore.
“Ajo çka mundem me shtu është që këto investime edhe proceset në të cilat jemi duke i kaluar jo vetëm në QKUK por edhe në Spitalet Regjionale por edhe me përzgjedhjen e mjekut familjar që po bëhet në mjekësinë primare, edhe me ngritjen e buxhetit për barna në primare dhe sekondare, është në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore. Arsyeja që po e them këtë është që qytetarëve nuk mund t’u kërkosh 3.5 për qind më shumë nga paga e as punëdhënësit ekstra 3.5 për qind nga pagat që u jepen punëtorëve, pa pasur besim në investime dhe shërbime të reja. Imagjinojeni kur të gjitha këto nuk kanë ndodh dhe ne t’u themi qytetarëve që me këtë buxhet, ne tani do t’u marrim 5 për qind nga paga e juaj dhe nga punëdhënësi”, tha Vitia.