Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, konsideron se Bashkimi i dy gjermanive 27 vite më parë, ishte vendimtar për bashkimin e Evropës.
Kurti thotë se edhe bashkimi ynë kombëtar do t’i kontribuonte unionit evropian.
Përmes Facebook-ut Kurti duke uruar popullin gjerman për 27-vejtorin e bashkimit të Gjermanisë, ka kujtuar gjithashtu sesi fuqitë e mëdha evropiane ishin kundër këtij bashkimi, ashtu sikurse deklarohen edhe për bashkimin në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Data 3 tetor festohet përvit në Gjermani si “Dita e Bashkimit”, dita kur dy shtetet gjermane të krijuara pas rrethanave të Luftës së Dytë Botërore, më në fund u bashkuan. Jo për të përsëritur historinë, por për të çelur një faqe të re, me Gjermaninë e bashkuar, demokratike e të hapur, motor i zhvillimit ekonomik dhe garant i vlerave politike e humane të Bashkimit Evropian.
Dy Gjermanitë u bashkuan edhe pse fqinjët dhe fuqitë e mëdha evropiane ishin kundër këtij bashkimi. Kundër ishin Polonia e Franca, Italia e Britania, ku tepër aktive kundër procesit të bashkimit ka qenë ish-kryeministrja Thatcher. Fuqitë e mëdha ishin kundër për arsye kryesisht egoiste, sipas parimit konservator të ruajtjes së balancës së fuqive. Por historia është progresive, dhe balancat e padrejta gjithnjë prishen. Andaj gjermanët e realizuan ëndrrën e tyre duke u bazuar tek vullneti i vet, e tek mbështetja e SHBA-ve, këtij partneri të jashtëzakonshëm të vetëvendosjes së popujve. Bashkimin e Gjermanive e kanë mbështetur asokohe shumë kombe të ndarë, si psh. irlandezët, apo edhe ne, shqiptarët.
Sot neve na thuhet se bashkimi ynë është i pamundshëm e i paleverdisshëm, se fqinjët janë kundër e se fuqitë e mëdha nuk duan. Por le të kujtojmë se edhe Gjermanitë, nuk u bashkuan me një hap të vetëm. Fillimisht ato nënshkruan traktatin për unifikimin e politikave monetare, ekonomike e sociale, pastaj një sërë marrëveshjesh të tjera, e në fund bënë veprimin më të mirë për popullin e tyre e për krejt Evropën, u bashkuan.
Ne sot u urojmë gjithë gjermanëve dhe Gjermanisë Ditën e Bashkimit, dhe i mbajmë si shembull për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky bashkim do të ndodhë në aleancë me SHBA-të dhe Gjermaninë, atëherë kur Kosova e Shqipëria të qeverisen nga politikanë të mençur, të ditur, të ndershëm e kombëtarë. Dhe ajo ditë, siç na tregoi 11 qershori, nuk është shumë larg.
Bashkimi i Gjermanive jo vetëm që kontribuoi por ishte vendimtar për bashkimin e Evropës. Edhe bashkimi ynë sigurisht që do t’i kontribuojë Bashkimit Evropian.