Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehu skeptik për arritjen e marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton Ekonomia Online.
Kurti këto komente i bëri pas ka dëshmuar lidhur me kallëzimin penal ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për rastin “Organizata Syri i Popullit”.
Kurti shtoi se mbetet të shihet nëse thirrja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga Isa Mustafa, do të “betonojë” marrëveshjen për koalicion.
“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë jav,ë por nuk dua të ndërhyj të LDK e cila mësova se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm si organi i saj më i lartë. Ne në VV besojmë që mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm mes subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes e jo para marrëveshjes”.
Sipas tij, partia e tij do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm pas marrëveshjes.
“Pra VV-ja mbledh një Këshill pasi të kemi marrëveshjen për koalicionin qeverisës me LDK-në. Mirëpo do shihet sot pas ditë nëse këshilli i LDK-së është thirrur për t’i betonuar qëndrimet me kërkesat e njohura tashmë apo është thirrur për ta mundësuar marrëveshje me neve”.
“Unë besoj që duhet të ketë takime mirëpo nuk mund të ketë takime përderisa thirren organet më të larta të subjektit”.
“Unë besoj shpresoj uroj që ashtu qysh ka vendosur populli me 6 tetor të kemi një qeveri të re nga opozita e deridjeshme në mënyrë që ta ç’kapim shtetin nga këta mujsharrët shpërdorues të cilët janë shkaku kryesor i korrupsionit të lartë në Kosovën e pavarur”.
“Populli e do këtë ndryshim, unë jam i gatshëm për këtë ndryshim, kam garuar për kryeministër të ri, kam fituar në zgjedhje, VV-ja është fituese besoj që sa më parë që merremi vesh, aq më mirë do të jetë dhe në 26 tetor të shkojmë të përgatitur për marrëveshjen e cila përveç harmonizimit programor të dakorduar do ta ketë edhe atë për ndarjen e përgjegjësive”.
Nga ora 11:00 është paralajmëruar të intervistohet edhe nënkryetari Glauk Konjufca.
Më 25 prill të këtij viti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe asokohe kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, kishin bërë kallëzim penal në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë.
Kurti dhe Konjufca pretendojnë se Thaçi e Veseli nën betim më datën 28 dhjetor të vitit 2018, në procesin gjyqësor ndaj të ashtuquajturës “Organizata Syri i Popullit”, dhe para gjyqtarëve kanë thënë se dy anëtarët e VV-së janë pjesë e kësaj organizate të quajtur terroriste.