Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shkruar për vdekjen e ikonës së muzikës popullore Ismet Peja.
Kurti ka ngushëlluar familjen e këngëtarit teksa ka thënë se Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë.
Postimi i plotë i tij:
Në moshën tetëdhjetë e tre vjeçare qenka shuar sot mjeshtri gjakovar i muzikës popullore, Ismet Peja.
Bir i një këngëtari, Ismet Peja e ngriti në nivel të lartë, me talentin e tij, traditën qytetare të këngës në Gjakovë, duke kontribuar edhe vetë, me këngë të reja në traditën e vjetër. Interpretimet e tij muzikore ishin të rëndësishme, ruanin pjesë të rrënjëve tona, na kujtonin lidhjet e ngushta të Gjakovës, jo vetëm me Prizrenin e Pejën, por edhe me Beratin, Elbasanin e Shkodrën, kontribuonin në ndërtimin e vazhdueshëm të bashkësisë sonë kombëtare, ndërtim i cili kurrë nuk ndalet.
Dëshiroj të ngushëlloj familjarët e Ismet Pejës, shokët e kolegët e tij të Shoqërisë Muzikore “Hajdar Dushi”, si dhe gjerësisht muzikantët dhe adhuruesit e muzikës popullore shqiptare për humbjen e këtij fisniku të madh të këngës.