Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale, ku ishte i ftuar të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit, në 09:30 të hënën, raporton Ekonomia Online.
Prokuroria Speciale nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri dhe as Kurti nuk ka treguar nëse do t’i përgjigjet ftesës.
Sipas informacioneve jozyrtare, Kurti është ftuar për rastin e keqpërdorimit të rezervës shtetërore.
Ndonëse vetë kryeministri Kurti nuk e ka komentuar këtë thirrje, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka shkruar në Facebook se përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2025.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, kishte shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.