Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po thotë se në Kosovë duhet lëkundur bindjet e vjetruara, dhe sistemi i padrejtë me vendimmarrje të centralizuar në një person.
Ndërsa detajizoi pjesëmarrjen e tij në konferencën dyditore të Javës së Gruas, ai thekson se përparimi i grave duhet të jetë sistematik dhe i pakthyeshëm.
”Sot mora pjesë në konferencën dy ditore të Javës së Gruas, që në Kosovë organizohet nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI). Diskutova mbi rolin e rëndësishëm që kanë gratë dhe të rinjtë për progresin shoqëror e demokratik në vend. Kur flasim për demokraci e mendojmë tërësinë, pjesëmarrjen e secilit dhe secilës, grupet dhe strukturat e shoqërisë, shumicën dhe të gjithë. Duhet lëkundur bindjet e vjetruara dhe sistemin e padrejtë ku vendimmarrja është e centralizuar në një person, familje, apo gjini. Kemi nevojë që gratë t’i fuqizojmë dhe burrat t’i sfidojmë”.
”Përfaqësimi dhe vendimmarrja janë fusha ku duhet punuar që gratë dhe të rinjtë të jenë pjesëmarrës. Synimi kryesor dhe angazhimi konkret duhet të fokusohet që ta ndryshojmë situatën e grave dhe vajzave në mënyrë masive dhe të përhershme. Aktiviteti publik është pikënisje e mirë për pjesëmarrje përmbajtësore. Konkurrenca duhet të shoqërohet me bashkëpunim, me solidaritet gjinor dhe emancipim të të gjithëve”.
”Përparimi i grave duhet të jetë sistematik dhe i pakthyeshëm, në shoqëri e nga institucionet, që pengesat që kanë gratë të eliminohen kurse kuota të bëhet e panevojshme duke u tejkaluar. Demokracia, barazia edhe gjinore, aktivizimi i të rinjve janë vlera themelore rreth të cilave duhet të bashkohemi të gjithë, si individë, si subjekte politike, si shtet e si shoqëri. Afirmimi i këtyre vlerave është interes yni si vend dhe neve na duhen institucione që sjellin vendime për maksimizim të këtyre përpjekjeve. Pa barazi gjinore nuk mund të ketë barazi shoqërore”.