Kurti takohet me deputetët e Parlamentit Gjerman

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 11:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe anëtarët e kryesisë Arben Vitia dhe Fitore Pacolli priti në takim deputetët e Parlamentit Gjerman Ervin Ruddle nga CDU dhe znj. Maria Klein-Schmeink nga partia e Gjelbër.

Fillimisht, Kryetari Kurti shprehu falënderimin për ndihmën që Gjermania i ka dhënë Republikës së Kosovës si për lirinë e pavarësinë ashtu edhe për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit. Tutje, ai i njoftoi përfaqësuesit gjerman me prioritetet e qeverisë së re, shtetndërtimin demokratik me sundim të ligjit e luftim të korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim përcjellur me një kujdes për ata që kanë më së shumti nevojë, dhe ndryshimet aq të nevojshme në arsim dhe shëndetësi ku përmendi sistemin dual të arsimit dhe sigurimet shëndetësore.

Në këtë takim u diskutua për format e mundshme të bashkëpunimit në mes dy shteteve tona në sfera konkrete si ajo e shëndetësisë. Deputetët Ervin Ruddle dhe Maria Klein-Schmeink njoftuan për përvojat e shtetit Gjerman në atë fushë, arritjet, problemet dhe sfidat e tyre aktuale, si dhe shprehën gatishmërinë për ndihmë të ndërsjellët për të plotësuar nevojat e të dyja vendeve.

“Nga ana jonë, Nënkryetarja Kollçaku foli për rëndësinë e bashkëpunimit sa i përket studimit, specializimit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional në përgjithësi. Ajo shtoi se përveç bashkëpunimit në këtë drejtim ku profesionistët tanë pas studimeve do të ktheheshin me ekspertizën e fituar për të kontribuar në vend, një mundësi tjetër e mirë është edhe ardhja e profesionistëve shëndetësor nga Gjermania për të sjellë përvojën e tyre që është tejet e nevojshme në institucionet tona. U kërkua po ashtu edhe mbështetje konkrete për trajtimin e rasteve më të rënda me theks të veçantë për shërimin e fëmijëve me leukemi akute dhe pacientëve në hemodializë”.


Vitia theksoi nevojën për themelimin e sigurimeve shëndetësore si dhe e vlerësoi të rëndësishme përvojën e Gjermanisë sa i përket mbledhjes së të dhënave si parakusht për Sigurimet Shëndetësore. “Jetësimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është prioritet i qeverisë së ardhshme. Rëndësi e veçantë në këtë diskutim iu kushtua edhe shërbimit parësor shëndetësor si shërbim bazik dhe sistemit të referimit”.

Në fund të takimit Ruddel premtoi se të gjitha çështjet e ngritura do të diskutohen në nivelin më të lartë institucional të shtetit Gjerman. Të dyja palët u dakorduan për rëndësinë e këtyre takimeve bilaterale dhe vazhdimin e tyre në të ardhmen.

Të ngjashme