Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, raporton Ekonomia Online.
Takimi i Kurtit me Kamikawa, është mbajtur të premten në objektin e qeverisë, ku mediat janë lejuar që të marrin pamje vetëm në fillim të takimit.
Ndërsa në një konunikatë për medie të Zyrës së Kryeministrit, bëhet e ditur gjatë takimit bilateral ndërmjet dy delegacioneve, u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe, projekteve të bashkëpunimit dhe asistimit dhe mundësive për investime të kompanive japoneze, veçanërisht në sektorin e energjisë së ripërtrishme dhe në infrastrukturën hekurudhore. Kryeministri veçoi mbështetjen e Japonisë përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) në menaxhimin e mbeturinave, menaxhimin dhe monitorimin e ndotjes së ajrit dhe mbështetjen për televizionin publik të Kosovës.
Kurti falënderoi shtetin e Japonisë për vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare, dhe për mbështetjen në fushën e mbrojtjes përmes trajnimit në Ministrinë e Mbrojtjes së Japonisë të oficerit të Forcave të Sigurisë në Kosovë. Ndër të tjerash, nënvizoi tregimin e suksesit të kompanisë japoneze Harino Mushroom, e cila është një nga fermat më të madhe të kërpudhave shiitake në Evropë, si shembull i mjedisit të përshtatshëm të të bërit biznes në Kosovë, por edhe thirrje për kompanitë tjera japoneze që të konsiderojnë Kosovën si vend atraktiv dhe të sigurt për investime, me sundim të ligjit, stabilitet institucional dhe institucione demokratike.
“Kryeministri Kurti dhe ministrja Kamikawa, gjithashtu diskutuan rreth çështjeve rajonale, përfshirë raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, në kuadër të së cilit kryeministri Kurti tha se është arritur Marrëveshja Bazike, por e cila nga fillimi dhe në vazhdimësi është shkelur në mënyrë të hapur nga Serbia”.
Gjithashtu, biseduan mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në garantimin e paqes dhe sigurisë, dhe në shërbim të zhvillimit dhe progresit të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është vizita e parë e ministrens së Punëve të Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa, në Kosovë dhe vjen në 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Ministrja Kamikawa, nga ana e saj, theksoi se paqja dhe stabiliteti janë vendimtare për Evropën dhe se vizita e saj në rajon, fillimisht në Serbi, pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë dhe tash në Kosovë është në këtë funksion.
Ministrja Kamikawa sot gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.