Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, në zgjedhjet që u mbajtën me 6 tetor, u takua me përfaqësuesit e Luginës dhe mori urimet për rezultatin zgjedhor.
“Dje, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, mirëpriti një delegacion nga Lugina të kryesuar nga Kryetari i Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi, Nënkryetari i kësaj komune, z. Armend Aliu, Kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim – Dega Bujanoc, z. Arben Pajaziti dhe Shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, z. Altin Boriçi.
Z. Shqiprim Arifi e uroi Kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit. Pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët.
Kryetari Kurti i falënderoi për vizitën dhe urimet. Ai tha se Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkarisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.
Fitorja e Lëvizjes i ka dhënë një kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe kjo tashmë po ndihet gjithandej”.