Kurti takoi përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës: Potenciali i sportistëve është dëshmuar, do të vazhdojmë t’i përkrahim

Prishtinë | 23 Kor 2024 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Lojërat Olimpike Paris 2024 ishin temë diskutimi e mbajtur në Zyren e Kryeministrit, ku kryeministri shoqërohej  nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani.

Potenciali i sportistëve të Kosovës është dëshmuar përmes fitoreve të shënuara në garat më prestigjioze sportive. Në bashkëpunim me Komitetin Olimpik, përmes Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Qeveria e Republikës së Kosovës do vazhdojë përkrahjen ndaj të rinjve tanë e kapacitetit të jashtëzakonshëm të tyre sportiv, si njërit prej ambasadorëve më të mirë të shtetit tonë në botë.

Përgatitjet për Paris 2024 janë gati, dhe delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës do të jetë në Paris prej datës 25 korrik në mbështetje të sportistëve tanë pjesëmarrës. 

Si në çdo takim tjetër me kabinetin qeveritar dhe partnerët relevantë, edhe në këtë takim u diskutua për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, nikoqire e të cilave është Republika e Kosovës. Mobilizimi për organizimin e këtyre Lojërave është i lartë. Vullneti i Qeverisë dhe partnerëve të saj është në kapacitetin e saj të plotë, për të organizuar një ngjarje të madhe sportive ndërkombëtare, për dobi të qytetarëve të Kosovës.

Të ngjashme