Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sébastien Gricourt, udhëheqës i Qendrës Ballkanike të Fondacionit Jean Jaures, me qendër në Paris.
Në këtë takim miqësor ata rikujtuan kohët dhe ngjarjet e viteve 1998-99, dhe periudhën kur Kurti mbahej peng në burgjet e Serbisë e Gricourt e kishte vizituar atje nëpërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Kryeministri Kurti dhe Gricourt biseduan për mundësitë e bashkëpunimit me Fondacionin Jean Jaures, që ka në fokus promovimin e proceseve demokratike, trajnimin e stafit politik dhe mbështetjen e iniciativave premtuese. Diskutuan edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe për rrugën e Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE.