Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec, diskutuan për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve

Prishtinë | 15 Dhj 2024 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Gjatë qëndrimit në Slloveni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.

Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës sonë në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.

Të mërkurën, me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit slloven Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë. Kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën e qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në Slloveni, si dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë.

Të ngjashme