Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot takim me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Takimi u mbajt në Zyrën e BE-së në Kosovë, me ftesë të Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorit Aivo Orav.
Në njoftim thuhet se temat kryesore të diskutimit ishin mbarëvajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, rëndësia e konstituimit të shpejt të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe formimit të qeverisë së re, si dhe ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Kosovën dhe prioritetet e mandatit të ardhshëm qeverisës.
“Gjatë takimit, kryeministri theksoi se aktualisht jemi në pritje të certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe se menjëherë pas kësaj do të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re. Ai u shpreh se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i projekteve të mëdha infrastrukturore, të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes së konkurrueshmërisë së vendit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, posaçërisht kompanive prodhuese, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe forcimin e kapaciteteve vendore. Kryeministri theksoi po ashtu se siguria dhe mbrojtja do të mbeten ndër prioritetet themelore të Qeverisë së re, gjithmonë në funksion të paqes dhe sigurisë”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
