Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i arkivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në 10 vjetorin e vdekjes së tij, raporton Ekonomia Online.
“Sot me rastin e 10 vjetorin e mbytjes së tij në burg të Prizrenit, vendosem lule dhe bëmë homazhe të varri i shokut tonë dhe aktivistit e studentit shembullor Astrit Dehari. 10 vjet pa Astritin janë shumë për familjen, por janë edhe shumë për republikën e Kosovës sepse mungon edhe e vërteta”, tha Kurti.
Ai ka përmendur edhe ndërrimin e pesë prokurorëve gjatë trajtimit të rastit, si dhe deklaratat e institucioneve përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë në orët e para pas vdekjes së Deharit.
“10 vjet më vonë ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit, pesë prokurorë janë ndërruar gjatë rastit, dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse të sigurisë e të drejtësisë asaj kohe që të japin konstatime para hetimeve. Kjo e rëndoi shumë situatën, dhe kjo situatë e rënduar vazhdon edhe sot e kësaj dite, përderisa askush nuk është akuzuar, nuk është arrestuar, e nuk është gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit, që e la familjen Dehari, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Republikën e Kosovës pa këtë djalë të jashtëzakonshëm”, shtoi Kurti.
Astrit Dehari vdiq në vitin 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej nën dyshime për terrorizëm, pas sulmit me granatahedhës ndaj ndërtesës së Kuvendit.
Teksa autoritetet fillimisht e cilësuan rastin si vetëvrasje, Lëvizja Vetëvendosje dhe familja e tij kanë këmbëngulur vazhdimisht se bëhet fjalë për vrasje.