Kryeministri Albin Kurti, i cili gjatë ditës nuk ka folur për mediet në lidhje me arrestimet në MINT, nëpërmes një videoje të postuar në Facebok, ka mbrojtur ministren Rozeta Hajdari dhe ka goditur mediat që kanë raportuar rreth keqpërdorimeve me Rezervën Shtetërore, gjykatësit dhe prokurorët duke thënë se i takojnë elitës së kaluar të korruptuar.
“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar” , ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër, shefi i Qeverisë ka folur shkurt për çështjen e mosardhjes së një pjese të rezervës, megjithëse oaratë janë paguar avans.
“97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore”, ka theksuar ai.
A ka thënë se rezervat shtetërore në qeverisjen e tij janë rritur më 25 milionë euro.
ADRESIMI I PLOTË:
Të dashur qytetarë,
Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës.
Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite.
97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore.
Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin.
Të dashur qytetarë,
Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs.
Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj.
Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar.
Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit.
Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj.
Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar.
Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare.
Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe.
Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё.
Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.
Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё.
Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit për përkrahjen. Natën e mirë, dhe, mirupafshim!